Detaje të reja dalin nga shpërthimi tritoli në orët e para të mëngjesit të sotëm (24 mars) në banesën 62-vjeçares Frida Sala në Shkodër. Një person me skafandër në kokë ka hedhur lëndën plasëse në portën e oborrit të banesës rreth orës 03:40 dhe është larguar nga vendngjarja.

Nga shpërthimi raportohet se ka pasur vetëm dëme materiale ku është shkatërruar porta kryesore, dera e shtëpisë, muret dhe dritaret janë thyer dhe një automjet që ndodhej i parkuar është dëmtuar.

Në momentin kur u hodh ekspozivi brenda banesës ka qenë 62 vjeçarja së bashku me djalin dhe bashkëshortin.

Në kamerat e sigurisë është fiksuar momenti kur autori mbërrin me një motor dhe pasi hedh lëndën plasëse largohet me shpejtësi. Nga kamerat, policia nuk ka arritur që ta identifikojë autorin deri më tani për shkak se mbante skafandër në kokë.

62-vjeçarja Frida Sala raportohet se punon në pikën kufitare të Hanit të Hotit, ku peshon mallrat që hynë e dalin në doganë. Në dëshminë e dhënë ajo ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd. Frida Sala është shpehur se kur ndodhi shpërthimi ishin zgjuar dhe po bëheshin gati për të ngrënë vaktin e syfyrit duke qenë se agjërojnë në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit.

62-vjeçarja del në pension për pak muaj dhe policia për momentin nuk e lidh ngjarjen me punën e saj. Policia ka marrë në pyetje edhe djalin e saj, Dori Sala i cili po ashtu ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd dhe se nuk e di se kush mund të jenë autorët.

Ky i fundit punon në një kompani interneti dhe nuk njihet si një person problematik. Vëllai tjetër ndodhet në Itali dhe punon si shofer kamioni. Deri më tani për policinë është i paqartë motivi i kësaj ngjarje.

E gjithë familja bashkë me komshinjtë në një rrugicë të vogël në lagjen “Tom Kola” në Shkodër janë tronditur nga ky shpërthim i fortë i cili është dëgjuar në gjithë atë zonë.

Policia dhe prokuroria e Shkodrës vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të ndodhur në Shkodër.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re