Skip to content

Tritoli në makinën e prokurorit, reagon KLP: Dënojmë me forcë çdo akt të tillë, shprehim mbështetje për familjen Muçaj

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka reaguar në lidhje me shpërthimin e tritolit që ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

KLGJ dënon me forcë çdo akt që cënon sigurinë e gjyqtarëve, duke shtuar se akte të tilla përbëjnë kërcënim serioz ndaj të gjithë sistemit të drejtësisë.

NJOFTIM PËR SHTYP

Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me aktin kriminal të datës 11.3.2021 ndaj anëtarëve të familjes së gjyqtares Gentiana Muçaj dhe dënon me forcë çdo akt që cenon sigurinë e gjyqtarëve.

Akte të tilla të përbëjnë kërcënim serioz jo vetëm për gjyqtarët, por ndaj të gjithë sistemit të drejtësisë e idealeve themelore të një shoqërie të hapur dhe shtetit të së drejtës.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen e palëkundur familjes Muçaj dhe të gjithë anëtarëve të personelit të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të jetojnë e të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve nga armiqtë e drejtësisë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor është i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me agjencitë ligjzbatuese për zbulimin e autorëve të akteve të tilla kriminale, me qëllim ndëshkimin e tyre dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla të rënda.

Mbrëmjen e djeshme qyteti i Tiranës u trondit nga një shpërthim me tritol. Konkretisht, në parkingun e kompleksit Kristal, makina tip benz e prokurorit Arjan Muçaj u dëmtua nga një shpërthim me tritol në pjesën e përparme.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi foli nga vendngjarja mbrëmjen e djeshme dhe konfirmoi që makina parkohej në atë vend prej 2 vitesh.

Prokurori Arjan Muça ka hetuar në vitin 2009 dosjen e Gërdecit, por në cilësinë e Oficerit të Policisë Gjyqësore, detyra që ushtronte në atë kohë.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb