FUSHË-KRUJË- Kamerat e sigurisë së bizneseve pranë mobilierisë që mbrëmjen e së premtes shpërtheu me tritol në Arrameras të Fushë-Krujës, kanë fiksuar autorin e ngjarjes. Në pamje duket momenti teksa një person i vetëm afrohet pranë biznesit dhe pasi aktivizon lëndën plasëse largohet me shpejtësi prej andej.

Burime nga grupi hetimor thanë për ABC News se autori rreth të 30-ve ishte i veshur me rroba të errëta sportive dhe në kokë kishte vendosur kapuçin e bluzes, duke e bërë edhe më të vështirë identifikimin e tij.

Nga pamjet e kamerave të sekuestruara nga policia vihet re se autori është afruar pranë mobilierisë në këmbë. Pasi vendos tritolin, largohet po në këmbë, jo nga rruga kryesore, por nga rrugicat pas biznesit që shpërtheu.

Ndërtesa e mobilierisë është në pronësi të Bujar Caracit, dhe i ishte dhënë me qira dhëndrit të vëllait të tij, Desar Çangu, 28 vjeç. Ata kanë mohuar të ketë konflikte me njëri dhe se nuk kanë dyshime tek ndonjë person se kush mund të jetë autori i ngjarjes.

Policia është duke hetuar disa pista, si konfliktet e mundshme të 28-vjeçarit Çangu, apo konkurrencën në biznes. Nga shpërthimi i fuqishëm pësuan dëme edhe bizneset përreth mobilierisë. Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re