Zhaneta dhe Anisa Josifi do të përcillen sot për në banesën e tyre të fundit, në varrezat e Përmetit.
Nënë e bijë, të cilat u gjetën të vetëflijuara brenda shtëpisë së tyre në Kombinat do të nisen nga Tirana për në Përmet në orën 12:00, ku edhe do të zhvillohet edhe ceremonia mortore.
Trupat e tyre do të prehen pranë kryefamiljarit të familjes, Llukmanit, i cili disa vite më parë gjithashtu kishte vrarë veten.
Ndërkohë vajza tjetër, e mbijetuara e vetme e familjes, Blerta nuk do të marrë pjesë në lamtumirën e fundit të familjes. Pasi u gjet ende me shenja jete në banesën e saj, Blerta u dërgua në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore, dhe më pas u transferua tek reparti i psikiatrisë.
NGJARJA:
Fillimisht në shtëpi, në rrethana që ende nuk dihen kishte ndërruar jetë Anisa. Nënë e bijë e mbanin prej rreth 15 muajsh në shtëpi, duke e lyer me vaj e uthull, ndërkohë që ishin në pritje të “ringjalljes së saj”.
Ndërsa Zhaneta dhe Blerta, vendosën që të mos ushqeheshin, duke u sakrifikuar sipas tyre për të “sunduar me Krishtin”. Pas shumë ditësh pa pasur mundësi të komunikonte me të motrën, një prej vëllezërve të Zhanetës njoftoi Policinë.
Menjëherë sapo u mor sinjali, në banesë shkuan forcat zjarrfikëse, të cilat në pamundësi për të hapur derën kryesore, u futën nga dritarja e tualetit.
Në korridor e shtrirë ishte Blerta, ndërsa në një prej divanëve ishte Zhaneta. Ndërsa Anisa, tashmë e mumifikuar ishte vendosur mbi krevat e mbuluar me batanije dhe jorganë.
E vetmja me shenja jete, edhe pse të dobëta ishte Blerta, e cila u dërgua në spital në gjendje të vetëdijshme.
E reja, e cila tashmë ndodhet në urgjencën e spitalit psikiatrik Nr.5, ka dëshmuar, se së bashku me nënën kishin 40 ditë që nuk ushqeheshin.