Një tjetër rast vandalizmi i një vepre arti nga turistët, këtë herë në Itali, ku influencuesit gjermanë – të gjithë meshkuj të moshës 25-30 vjeç – akuzohen se kanë shkatërruar një statujë me vlerë në një vilë që kishin marrë me qira.

Dy turistë janë ngjitur në një shatërvan, duke u përpjekur të pozojnë duke u përqafuar me “Domina”-n, siç quhet statuja e krijuar nga skulptori Enrico Butti 150 vjet më parë. Një i tretë po e shtynte statujën me një levë, ndërsa të tjerët po kapnin skenën për të postuar pamje në platformat e mediave sociale.

Statuja u lëkund nga piedestali i saj dhe përfundimisht ra në tokë, duke u copëtuar, tha Bruno Golferini, menaxher i Villa Alceo në qytetin e Viggio, pranë Varese-s në Italinë veriore.

Golferini tha se raportoi vandalizmin, i cili ndodhi të hënën dhe u kap nga kamerat e sigurisë, në polici, duke fajësuar grupin prej 17 turistësh gjermanë që kishin marrë me qira vilën. Turistët janë kthyer në vendlindje.

Vlera e statujës vlerësohet në rreth 200,000 euro, sipas Golferinit, i cili vuri në dukje se restaurimi i saj është jashtëzakonisht i vështirë.

“Fatkeqësisht, ka disa injorantë që bëjnë gjëra të tilla”, shtoi ai.

Një turist që gdhendi emrat e tij dhe të partneres në një mur të Coloset shkaktoi reagime të zemëruara në Itali në qershor. “Ivan + Hailey ’23” ishte mesazhi i gdhendur nga turisti bullgar, banor në Bristol, Britani e Madhe, i cili u gjobit me 15 mijë euro për vandalizimin e monumentit ikonë të Romës. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re