Organet e Vettingut pësojnë një goditje nga hetimet prokurorisë. Pas kërkesës së bërë nga SPAK është vendosur pezullimi i anëtarit të Komisionit të Posaccëm të Apelimit, si shkalla fundore e ankimimit të vendimeve të KPK-së.

Arsyeja e pezullimit lidhet me deklarimet e bëra nga Daci, ku rezulton se ka kryer edhe falsifikimin e dokumenteve. Në vitin 1997 ai ka deklaruar se është larguar vetë nga sistemi i drejtësisë por se në fakt, ish-anëtarja e KLP, Antoneta Serverdari, e larguar nga sistemi i vettingut pretendonte për të kundërtën.

Sipas saj, gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, në vitin 1997 është shkarkuar nga sistemi i drejtësisë, për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë. Vendimi është marrë më 24 dhjetor të vitit 1997, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucion tashmë i shkrirë nga reforma në drejtësi, në krye të të cilit në atë kohë, ishte Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani. Dokumentin e ka bërë publik, Antoneta Sevdari, prokurorja e cila u shkarkua nga detyra nga Kolegji i Apelimit, ku pjesë e trupës së gjyqtarëve më 28 shkurt 2019, ishte edhe Luan Daci. Antoneta Sevdari u shkarkua duke mos kaluar procesin e vettingut, me arsyetimin se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm sa i përket kriterit të pasurisë. Dokumentin e mbledhjes së ish-KLD-së, Sevdari e ka marrë zyrtarisht pranë arkivës së këtij institucioni.

Ndërkohë në vitin 2016, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka përjashtuar nga konkurimi për gjykatës me argumentin se nuk plotësonte kriteret pasi në vitin 1997  ishte larguar nga kjo detyrë ‘për shkelje të rënda’.

Daci gjithashtu ka gënjyer Kuvendin ndërsa është shprehur se prej vitit 2000 ka punuar si avokat ndërkohë që është regjistruar për të marrë licencën e avokatisë në vitin 2007, ndërsa në mbledhjen e komisionit në Kuvend Daci është shprehur se këtë licencë e ka marrë në 20.03.2000.

Sevdari ka siguruar edhe një dokument të mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë më 18.11.2016, kur Luan Daci, deklaronte se është vetëlarguar nga sistemi duke fshehur kështu shkarkimin e vitit 1997.

Njoftimi i plote

NJOFTIMI
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka rregjistruar proçedimin penal Nr.56, viti 2020 për veprën penale ″Falsifikimi i dokumenteve″, të parashikuar nga neni 186, paragrafi (1) i Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë proçedim penal është provuar se shtetasi Luan Daci, me funksion Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në aplikimin e kryer prej tij në datën 03.02.2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë më parë masa disiplinore ″largim nga puna″.

Shtetasi Luan Daci në vitet 1994-1997 ka ushtruar funksionin e Gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas propozimit të Ministrit të Drejtësisë, me vendimin Nr.6, datë 24.12.1997, në nenin 1 të tij, ka vendosur: ″Z.Luan Daci, largohet nga detyra e gjyqtarit për shkelje të ligjës dhe paaftësi në detyrë″.

Në bazë të nenit 6, paragrafi (1), gërma (dh) të ligjit Nr.84/2016 ″Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë″, si dhe nenit 150, paragrafi (3) të ligjit Nr.96/2016 ″Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë″, i cili ka qënë në fuqi në momentin e aplikimit, ekzistenca e masës disiplinore ″largim nga puna″ përbënte shkak ligjor që shtetasi Luan Daci të mos plotësonte kriteret formale për të aplikuar në pozicionin vakant Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Në rrethanat e mësipërme, shtetasi Luan Daci është marrë në përgjegjësi penale nga Prokuroria e Posaçme për kryerjen e veprës penale ″Falsifikimi i dokumenteve″, të parashikuar nga neni neni 186, paragrafi (1) i Kodit Penal.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr.54, datë 20.05.2020 ka vendosur ndaj shtetasit Luan Daci caktimin e masës së sigurimit ndaluese ″pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik″, të parashikuar nga neni 242 i Kodit të Proçedurës Penale, duke e pezulluar nga atë funksioni Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re