Ambasadori Lu ka deklaruar se fundi se e ka njohur Shqipërinë e vërtetë në komunizëm nëpërmjet “Ridënimit” të Fatos Lubonjës.

“Ridënimi” ka qenë ndër librat më të bujshëm të mesit të viteve ’90. Një libër memuaristik ku autori rrëfen një proces ndaj tij i cili e çoi drejt një ridënimi, ai përçon tablonë më të errët të ish-regjimit, egërsinë e tij, atë anë çnjerëzore, ku Lubonja ka qenë viktimë e gjallë e tij me afro 17 vite burg.

“Ridënimi” i Lubonjës ka njohur disa rishtypje në vite, e sot po ribotohet nga Koha e Veton Surroit në Kosovë.

Nga ky libër po sjellim një prej pjesëve më të dhimbshme, atë kur autori tregon një vlim dëshirë për të mbetur gjallë, në kushte të tilla ku çdo njeri do kishte dashur të mos jetonte.

Kujtojmë se gjatë ridënimit, Lubonja humbi tre miqtë të ngushtë: Xhelal Koprenckën, Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon. Të tre këta u dënuan me vdekje, pasi u akuzuan për krijimin e një grupi armiqësor në kushte burgu, në të cilin, sipas akuzës, bënte dhe pjesë dhe Lubonja.

Ja ç’shkruan ky i fundit, ndërsa vdekja i rrinte mbi kokë:

Kalova përsëri në korridorin plot me dyer të errëta qelish, të cilat çuditërisht në atë çast, për herë të parë, nuk mund dukën të ndyra, siç më dukeshin zakonisht, por disi të ngrohta. Prapa secilës prej tyre kishte të paktën një njeri dhe befas ndjeva zili për ata që do të mbeteshin gjallë.

Kjo ndenjë m’u forcua kur kalova mbi urë dhe pashë qiellin. I pata zili të gjallët që do të vazhdonin të kalonin mbi të dhe ta shihnin këtë qiell, kur unë s’do isha më. Hyra në birucë dhe ndjeva një keqardhje të tillë për veten sa që në ato caste përjetova diçka të papërjetuar deri atëherë, një gjakim të pamatë dhe të pakusht për jetën. Ndjevë në atë çast se isha gati të më ngujonin në atë qeli tërë jetën, po vetëm të mbetesha gjallë. Sikur t’i jepej mundësia një njeriu të jashtëm të afrohej në birën e sportelit dhe të shihte aty brenda një qënie siç isha unë, në gjysmë errësirë, i vetmuar, me tre mure të bardhë rreth e rrotull, me katër batanije në njërën qoshe të qelisë, me një frëngji të vogël që ishtë aq lart sa nuk mund të ngjiteshe dot për të parë se ç’ndodhte jashtë, edhe me një derë që hapej vetëm tre herë në ditë për të kryer nevojën dhe për të derdhur paguren e shurrës, gjëja e parë që do të thoshte ishte se kjo është një gjendje e padurueshme sa më mirë të vrisje veten. E kisha thënë dhe unë vetë. Kursa tani po provoja diçka tjetër. Gjakimi për të mbetur gjallë ishte aq i madh, aq i fortë, sa ai vend më dukej shumë i mirë, shumë njerëzor, gati-gati i dashur. Vetëm të mbesja gjallë, por dhe tërë jetën do ta kaloja me qejf aty, edhe pa shpresën se do të dilja një ditë prej andej. Mjaft që sytë të mbeteshin hapur, paçka se do të shihnin vetëm ato mure memecë dhe atë dritë të qërrët; mjaft që duart të lëmonin diçka, paçka se ato dërrasa të ndyra; mjaft të ndjeja kënaqësinë e ruajtjes  së ngrohtësisë së trupit me ato batanije të konsumuara ushtarësh…dhe veshët të dëgjonin ca zhurma dhe ca zëra gardianësh.

E ndjeja se do e pranoja atë lloj jete edhe pa shpresën e daljes kurrë prej andej, edhe pa shpresën se një ditë mund të shihja përsëri gruan dhe fëmijët. Vetëm të mos vdisja. Ishte instikti i jetës që më drejtonte mendjen në këtë mënyrë. Të njëjtën gjë kisha patur rastin të shihja në kamp me të aksidentuarit në minierë që kishin thyer shtyllën kurrizore. Përpara se të pësonin aksidentinse cili kishte thënë jo një herë dhe jo vetëm me vete se do të preferonte vdekjen më mirë se një aksident që do ta katandiste në gjendjen e paraardhësit të tij fatkeq: pa aftësi seksuale, me kryerje nevojash në shtrat etj., etj. Por pastaj, kur e pësonte vetë, jetonte që jetonte; në fillim me shpresën se do të mund të shërohej dhe pastaj edhe pa atë shpresë.

Këto mendime ma larguan për një farë kohe të shkurtër ankthin, por ai m’u kthye përsëri bash në formën e tronditjes se këto mendime nuk do të mund t’i shkruaja dot një ditë.              

 Përgatiti: Ermir Hoxha –

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re