Skip to content

Trump do të nënshkruaj një urdhër të ri ekzekutiv, kërkon më shumë të dhëna për pranimet në universitete


Donald Trump do të nënshkruajë një urdhër të ri ekzekutiv që u kërkon universiteteve dhe kolegjeve që marrin fonde federale të rrisin transparencën në të dhënat e pranimeve të tyre.

Ky urdhër i ri i kërkon Departamentit të Arsimit të rishikojë Sistemin e të Dhënave të Arsimit të Lartë – një koleksion anketash të krijuara për të pasqyruar koston e ndjekjes së institucioneve të arsimit të lartë, përbërjen e trupës studentore dhe të dhëna të tjera që lidhen me pranimet dhe regjistrimet.

Njëkohësisht, administrata Trump planifikon të zgjerojë gamën e të dhënave të detyrueshme që institucionet arsimore duhet të dorëzojnë, duke forcuar njëkohësisht kontrollin mbi saktësinë e këtyre të dhënave. Sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, i cituar nga Bloomberg, Departamenti i Arsimit do të ketë tani mandatin për të ndërmarrë masa korrigjuese në rast se zbulohen të dhëna të paplota apo të pasakta.

Ky veprim është pjesë e planit më të gjerë të Presidentit Trump për të ristrukturuar arsimin e lartë në Shtetet e Bashkuara – një plan që përfshin tashmë edhe shkurtime prej qindra milionë dollarësh në fonde dhe grante për universitetet kryesore, përfshirë Harvardin dhe Princetonin. Urdhri ekzekutiv i ri synon gjithashtu të forcojë një urdhër të mëparshëm, i cili kishte në shënjestër programet e promovimit të diversitetit në universitetet amerikane.