Angazhimi ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Siri është thuajse i përmbyllur dhe presidenti Donald Trump la të kuptohej se shumë shpejt mund të japë urdhrin për tërheqjen e trupave nga të gjitha operacionet atje.

“Misioni ynë (mposhtja e ISIS) është thuajse i përmbushur dhe unë do të marr një vendim shumë shpejt, sigurisht në koordinim me aleatët dhe aktorët e tjerë të rajonit”, deklaroi të martën shefi i Shtëpisë së Bardhë në një konferencë të përbashkët me udhëheqësit e tre vendeve baltike.

Kjo do të thotë se Uashingtoni nuk përjashton që të vazhdojë angazhimin ushtarak në Siri, por me një kusht.

“Arabia Saudite është shumë e interesuar në lidhje me vendimin tënd. Ata kërkojnë që ne të qëndrojmë, por unë u thashë, që nëse duan që të qëndrojmë, ata duhet të paguajnë për këtë”, vijoi ai.

Të hënën, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Donald Trump kishte pasur një bisedë telefonike me Mbretin e Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz al Saud. /kp/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re