Tubacioni Nord Stream 2 do të vihet në veprim para fundit të vitit 2020 përkundër sanksioneve amerikane, tha ministri rus i energjisë Aleksandër Novak.

Kjo pasi ministri ka treguar që anija e tubave të Gazpromit, “Academician Cherskiy”, mund të përdoret për të përfunduar ndërtimin e North Stream 2, “por do të duhet ca kohë për përgatitje shtesë”.

Kjo anije aktualisht është në Lindjen e Largët Ruse.

Ndërmarrja zvicerane-holandeze Allseas, e cila vendosi tubacione në fund të detit Baltik, ka pezulluar punën pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione për projektin e North Stream 2.

Për të përfunduar tubacionin, mbetet një seksion 160 kilometër afër ishullit danez Bornholm.

Deklarata e Novak u përcoll gjithashtu nga Reuters, duke thënë se Gazprom në vitin 2016 bleu një anije të posaçme për hedhjen e tubave “Academician Cherskiy”, e vendosur tani në portin rus të Nahodka në Paqësor.

Ministri Novak shton se duhen pothuajse 45 ditë që Cherskiy të arrijë në zonën e Bornholm përmes Kanalit të Suezit, ose pothuajse 37 ditë nëse përdoret një rrugë përtej Detit të Veriut në Arktikun Rus, duke kërkuar që anija të ndjekë një akullthyese.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re