Administrata Trump po detyrohet të rishikojë strategjinë e saj të “presionit maksimal” përballë pasojave katastrofike që ka shkaktuar lufta aktuale në ekonominë globale. Vendimi i fundit për të pezulluar sanksionet mbi naftën iraniane në det për 30 ditë shënon një kthesë domethënëse, e diktuar nga nevoja urgjente për të stabilizuar tregjet e energjisë.
Me çmimin e naftës që ka tejkaluar 100 dollarë për fuçi – shifra më e lartë që nga viti 2022 – Shtëpia e Bardhë po përpiqet të shmangë një kolaps ekonomik përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, duke pranuar heshturazi se mjetet e deritanishme ekonomike po shterojnë.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi se ky veprim do të injektojë rreth 140 milionë fuçi naftë në tregjet globale. Ky hap vjen si pasojë e dëmeve të rënda në infrastrukturën energjitike të Gjirit dhe mbylljes de fakto të Ngushticës së Hormuzit, një pikë nevralgjike ku kalon 20 për qind e furnizimit botëror.
Përtej justifikimeve teknike se ky furnizim është “ekzistues” dhe nuk lejon futjen ne treg të prodhim të ri iranin, pesha e këtij vendimi sinjalizon një dobësim të pozicionit të fortë të SHBA-së përballë pasigurisë që po gjunjëzon bizneset dhe konsumatorët amerikanë.
Heqja e sanksioneve po shihet nga shumë analistë si një “degë ulliri” e tërthortë drejt Teheranit. Pasi ka lehtësuar sanksionet edhe ndaj naftës ruse, Uashingtoni duket se po kërkon një rrugëdalje përmes dialogut për të shmangur një luftë totale që do të shkatërronte tregtinë globale.
Ky ndryshim taktike, sugjeron se administrata Trump po e kupton se fitorja ushtarake pa stabilitet energjitik është një kosto që as fuqia më e madhe botërore nuk mund ta përballojë dot gjatë, duke e bërë më urgjente se kurrë nevojën për një marrëveshje me Iranin.
Ndërkohë, Izraeli duket i vendosur që ta tërheqë Uashingtonin më thellë në “kënetën” e Lindjes së Mesme, duke intensifikuar fushatën e tij ushtarake pavarësisht përpjekjeve amerikane për qetësim. Ndërsa SHBA luan kartën e diplomacisë energjitike, ushtria izraelite ka vazhduar sulmet kundër Iranit dhe interesave të tij, duke injoruar rrezikun e një përshkallëzimi rajonal.
Mospërputhja midis nevojës së Uashingtonit për stabilitet dhe objektivave gjeopolitike të Tel Avivit po krijon një çarje të rrezikshme në boshtin aleat, ku Izraeli po vepron si një katalizator i konfliktit të përhershëm.
Së fundmi, Izraeli e ka zgjeruar frontin e sulmeve duke goditur direkt ushtrinë siriane, një lëvizje që u dënua ashpër nga Arabia Saudite dhe Turqia si “agresion flagrant”. Duke goditur Sirinë Jugore nën pretekstin e mbrojtjes së komunitetit Druz, Izraeli po rrezikon të provokojë një përfshirje më të gjerë të fuqive rajonale. /tesheshi.com/


