Zyrtarët e fushatës të Presidentit Donald Trump kërkuan të shtunën rinumërimin e votave në Xhorxhia, një ditë pasi zyrtarët e këtij shteti çertifikuan rezultatin sipas të cilit demokrati Joe Biden është fitues i garës në këtë shtet. Ekipi ligjor i presidentit vazhdon të pretendojë për manipulime në shkallë të gjerë, por pa ofruar prova lidhur me këto pretendime.

Rezultatet e Xhorxhias treguan se zoti Biden mundi zotin Trump me 12,670 vota më shumë, nga rreth 5 milionë të hedhura gjithsej, ose me 0.25 për qind më shumë krahasuar me rivalin e tij. Ligji shtetëror lejon një kandidat të kërkojë rinumërim nëse diferenca me fituesin, është më pak se 0.5 për qind. Guvernatori republikan Brian Kemp zyrtarizoi listën e shtetit me 16 anëtarë të kolegjit elektoral që do të votojnë për të zgjedhur presidentin.

Ndërkohë zyrtarët e fushatës së zotit Trump i dërguan një letër sekretarit të shtetit duke i kërkuar rinumërimin. Në një deklaratë të ekipit ligjor të zotit Trump shkruhej se “sot zyrtarët e fushatës së zotit Trump paraqitën një kërkesë për rinumërim në Xhorxhia. Ne jemi përqendruar të sigurohemi që është ndjekur çdo aspekt i ligjit shtetëror të Xhorxhias dhe Kushtetutës amerikane në mënyrë që çdo votë e ligjshme të numërohet. Presidenti Trump dhe fushata e tij vazhdojnë të insistojnë në një rinumërim të ndershëm në Xhorxhia, i cili duhet të përfshijë përputhjen e nënshkrimeve si dhe masa të tjera mbrojtëse jetike”.

Numërimi do të bëhet duke përdorur makineri skanuese që lexojnë fletëvotimet dhe paraqesin rezultatet e votimit. Punonjësit e zgjedhjeve kanë bërë tashmë një rinumërim të plotë me dorë të të gjitha votave të hedhura në garën presidenciale. Por masa e re buroi nga një kërkesë e detyrueshme për një rivlerësim të votave dhe që sipas ligjit nuk konsiderohet një rinumërim zyrtar.

Përpjekjet e Presidentit amerikan Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit morën një tjetër goditje të shtunën kur një gjyqtar federal hodhi poshtë një padi gjyqësore të ngritur nga fushata e tij që kërkonte të zhvlerësonte miliona vota të hedhura me postë në Pensilvani.

Gjyqtari Matthew Brann deklaroi se ekipi i Presidentit Trump nuk kishte arritur të provonte se kishte pasur manipulim në shkallë të gjerë me votat në zgjedhjet e 3 nëntorit, të cilat zoti Trump i humbi ndaj rivalit demokrat Joe Biden.

“Kësaj gjykate i janë paraqitur argumente ligjore pa bazë dhe me akuza spekulative”, shkroi gjyqtari në vendimin e tij.

Ai shtoi se (Trump) “nuk ka asnjë autoritet t’i heqë të drejtën e votës qoftë edhe një personi të vetëm, pa folur pastaj për miliona qytetarë”.

Në padinë gjyqësore, të drejtuar nga avokati personal i zotit Trump, Rudy Giuliani, bëhej përpjekje për të ndaluar zyrtarët të çertifikonin fitoren e zotit Biden në Pensilvani, me argumentin se disa qarqe gabimisht i kishin lejuar votuesit të ndreqinin gabimet në fletët e tyre të votimit.

Kjo ishte më e bujshmja ndër dhjetëra padi gjyqësore të ngritura nga Presidenti Trump dhe aleatët e tij republikanë pas zgjedhjeve. Ata po përpiqen gjithashtu të zhvlerësojnë ose ndryshojnë rezultatet përmes rinumërimeve dhe trysnisë së drejtpërdrejtë mbi ligjvënësit në disa shtete. /VOA

/faxweb