Presidenti Trump ka akuzuar ligjvënësit demokratë se po bllokojnë fondet për ndërtimin e murit në kufi. Ai gjithashtu fajësoi ligjvënësit republikanë që lejojnë kolegët e opozitës të bllokojnë fondet.

Në një koment që postoi të enjten në Twitter, Presidenti Trump sulmon ashpër demokratët se nuk kanë përfshirë fonde për murin në projekt-ligjin e buxhetit që sapo u miratua në Senat. “Republikanët duhet të tregohen të prerë!” shkruan presidenti.

Senati miratoi një projekt-buxhet prej 854 miliardë dollarësh të martën që mundëson vazhdimin e funksionimit të qeverisë pas datës 30 shtator kur rrezikohej të mbyllej qeveria federale, duke aprovuar fondet për operimin e disa agjencive qeveritare deri në fillim të dhjetorit. Pritet që Dhoma e Përfaqësuesve të miratojë projekt-buxhetin javën e ardhshme. Por as në variantin e Dhomës së Përfaqësuesve nuk përfshihen fonde për murin në kufirin me Meksikën.

Presidenti kishte kërcënuar se do të detyronte mbylljen e qeverisë më 1 tetor nëse nuk përfshiheshin fondet për murin në projekt-buxhet. Republikanët janë shprehur se preferojnë të merren me këtë temë pas zgjedhjeve të 6 nëntorit për Kongres.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re