Donald Trump është nën rrethim. Baza e tij dhe Partia Republikane po kërkojnë nga presidenti një strategji daljeje nga Irani.
Kjo duhet të bëhet shpejt, përndryshe ekziston rreziku i një humbjeje të madhe nga demokratët në zgjedhje.
Por për momentin, është e paqartë se si Shtetet e Bashkuara do të dalin nga konflikti.
Lufta kundër Teheranit ka marrë një kthesë të papritur krahasuar me parashikimet fillestare të administratës, e cila fillimisht ishte përgatitur për një operacion disaditor, pastaj foli për 4 ose 5 javë sulme.
Më shumë se dhjetë ditë pas fillimit të bombardimeve, regjimi iranian po reziston dhe Irani vazhdon t’u përgjigjet sulmeve amerikane, duke mbjellë panik në të gjithë Lindjen e Mesme.
Por përtej këtij zhvillimi të papritur, Trump duket se po përqendrohet te Izraeli.
Publikisht të dy aleatët paraqesin një front të bashkuar, por prapaskenave tensionet po rriten.
Benjamin Netanyahu është i gatshëm të vazhdojë luftën derisa regjimi të bjerë, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë më të kujdesshme dhe të përqendruara në objektivat e tyre ushtarake: shkatërrim përfundimtar i aftësisë së Teheranit për të prodhuar armë bërthamore.
Tensionet konfirmohen më tej nga kërkesa amerikane ndaj Izraelit – e para që nga fillimi i luftës – për të ndaluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike iraniane.
Shefi i Pentagonit u përpoq ta minimizonte situatën. Sipas tij sulmi izraelit ndaj naftës iraniane “nuk ishte domosdoshmërisht qëllimi ynë”. Edhe Steve Witkoff u përpoq të qetësonte tensionet duke njoftuar një vizitë “të mundshme’ në Izrael javën e ardhshme.
I frikësuar nga rritja e çmimit të naftës, që mund të hedhë në erë planin e tij për uljen e taksave, dhe nga rënia e bursave në Wall Street, një nga treguesit e tij kryesorë, Trump ka folur për luftën si praktikisht të mbaruar dhe është i hapur për një lehtësim të mundshëm të sanksioneve.
Kjo shihet nga shumë analistë si një dhuratë për Vladimir Putinin, i konsideruar fituesi i vërtetë i operacionit në Iran. Por duket se nuk ka qartësi as brenda administratës mbi kohën e përfundimit të fushatës.
Presidenti mund t’i kërkojë Kongresit dhjetëra miliarda në ditët në vijim për të vazhduar operacionin, në atë që duket të jetë një tjetër betejë e vështirë që do të testojë shumicën e vogël republikane.
“Ai nuk di se si ta përfundojë luftën”-shkroi në New York Times kolumnisti Thomas L. Friedman, fitues tre herë i Çmimit Pulitzer dhe ekspert për Lindjen e Mesme. /tesheshi.com/



