Ish-presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se nëse rizgjidhet do të vendosë më shumë tarifa për mallrat kineze.

Në një intervistë me Fox News, Trump tha se tarifat mund të kalojnë 60%.

Ai ka akuzuar prej kohësh Kinën për praktika të padrejta tregtare dhe vjedhje të pronës intelektuale.

“E dini, padyshim që nuk dua të dëmtoj Kinën. Dua të bëj mirë me Kinën. Unë mendoj se ata janë të shkëlqyer. Por ata vërtet kanë përfituar nga vendi ynë”, tha ai.

Lufta tregtare

Gjatë presidencës së tij, Trump ndezi një luftë tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë, ndërsa vendosi tarifa për qindra miliarda dollarë në mallrat kineze.

Administrata Trump fillimisht filloi vendosjen e tarifave që synonin frenimin e importeve kineze në vitin 2018. Kjo politikë u përshkallëzua nga vendosja e tarifave për një sërë mallrash duke filluar nga prodhimet e detit e deri te kimikatet.

Pekini u përgjigj me taksa për importet amerikane, duke përfshirë produkte të tilla si soja, gruri dhe shpendët.

Administrata e presidentit aktual të SHBA Joe Biden i ka mbajtur kryesisht tarifat, pavarësisht kritikave se ato kanë ndihmuar në rritjen e çmimeve dhe i kanë bërë Shtetet e Bashkuara më pak konkurruese.

SHBA ka qenë tregu më i madh i eksportit të Kinës për më shumë se dy dekada.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re