Presidenti Donald Trump pretendon se e fitoi garën presidenciale në SHBA pavarësisht se rivali i tij, demokrati Joe Biden, ka marrë më shumë se 270 vota elektorale.
Në një postim në Twitter, Trump u kritikoi zyrtarët për të cilët ai tha se nuk i lejonin vëzhguesit të mbikëqyrnin procesin e numërimit të votave, duke theksuar edhe sasinë e votave që fitoi.
“Vëzhguesit nuk u lejuan në dhomat e numërimit. Fitova zgjedhjet, fitova 71.000.000 vota ligjore. Gjëra të këqija ndodhën të cilat vëzhguesit tanë nuk u lejuan t’i shohin. Gjëra që kurrë nuk kanë ndodhur më parë. Miliona vota me postë iu dërguan njerëzve që kurrë nuk i kishin kërkuar për ta”, shkroi Trump.
Në një postim tjetër, Trump shkruajti: “71.000.000 vota ligjore. Numri më lartë ndonjëherë që ka fituar ndonjë president aktual”.
Biden tanimë ka grumbulluar gjithsej 290 delegatë të Kolegjit Zgjedhor, pasi Associated Press e shpalli atë fitues edhe në shtetin Nevada.
Fituesi i zgjedhjeve të së martës nuk është shpallur ende në shtetet Georgia, Carolina e Veriut dhe Alaska, por tani është matematikisht e pamundur që Trump të fitojë rizgjedhjen pa një ndryshim të madh në numërimin e votave.
Trump tha se ekipi i tij do të fillojë ankesat ligjore të hënën, por ai nuk specifikoi në cilat shtete do të ndodhë kjo.
