Presidenti Donald Trump përdori Twitter-in për të ndarë një video të edituar dhe krijuar nga një komedian konservator, i cili e akuzon rrejshëm ligjvënësen demokrate Ilhan Omar për vallëzim dhe festë me rastin e 18-vjetorit të ngjarjeve tronditëse të 11 shtatorit.

Videoja e rreme nxiti kritika të reja në Twitter ndaj kongresmenes muslimane nga Minesota, e cila është përballur vazhdimisht me akuza nga kritikët e saj.

Përkrahësit e Omarit, ndërkohë, u tubuan rreth saj. Disa kërkuan që Twitter të mos shpërndajë përmbajtjen mashtruese, nga frika se videoja mund të çojë në sulme kundër kongresmenes.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara po vazhdon të përhapë gënjeshtra që e rrezikojnë jetën time”, shkroi Omar në Twitter. “Çfarë po bën Twitter për të luftuar këtë keqinformim?”

Këtë muaj, ajo u bë politikania e dytë e njohur që kërkoi që gjigandi i teknologjisë të ndalonte përhapjen e dezinformatave. Në fillim të këtij muaji, fushata e kandidatit për presidencën Demokratike Beto O’Rourke kritikoi Twitterin për mosveprimin pasi përdoruesit e mediave sociale promovuan një pretendim të pabazë se një “sulmues masiv” ndodhej midis mbështetësve të ish-kongresmenit.

Videoja e Omarit që vallëzonte kishte ndodhur për një tjetër ngjarje, dhe nuk lidhej aspak me 9/11.

Kur Trump ndau videon me 64 milion ndjekësit e tij në Twitter, ai shkroi: “Fytyra e re e Partisë Demokratike!”

Përdoruesit e mediave sociale shpejt theksuan se videoja ishte xhiruar pas përvjetorit, duke kritikuar presidentin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re