Në një postim të ri në Truth Social, presidenti i SHBA-së Donald Trump thotë se i ka urdhëruar Marinës Amerikane të godasë çdo anije iraniane që vendos mina në Ngushticën e Hormuzit.
Pa e përmendur Iranin me emër, Trump shkruan se SHBA-të kanë fundosur 159 anije luftarake iraniane dhe shton se u ka kërkuar minapastruesve amerikanë të shtojnë përpjekjet e tyre për të pastruar Ngushticën.
Më tej presidenti i ka kërkuar ushtrisë amerikane që ky aktivitet të vazhdojë, por në një nivel të trefishtë.
“Kam urdhëruar Marinën e Shteteve të Bashkuara të rrëzojë dhe shkatërrojë çdo anije, sado e vogël (anijet e tyre luftarake janë TË GJITHA, të gjitha 159, në shtratin e detit!), që vendos mina në ujërat e Ngushticës së Hormuzit. Nuk duhet të ketë hezitim. Përveç kësaj, “minapastruesit” tanë aktualisht po pastrojnë Ngushticën. Me anë të kësaj urdhëroj që ky aktivitet të vazhdojë, por në një nivel të trefishtë! Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, shkruan Trump.
Më herët, Irani njoftoi se kishte marrë të ardhurat e para nga taksat në Ngushticën strategjike të Hormuzit, pasi bllokada detare amerikane ka ndikuar, por nuk e ka ndaluar rrjedhën e naftës në vend.
Sipas nënkryetarit të parlamentit iranian , Hamidreza Hajibabay, “të ardhurat e para nga taksat në Ngushticën e Hormuzit janë depozituar në llogarinë e Bankës Qendrore”, siç raportoi agjencia e lajmeve Tasnim.
Njoftimi nuk u shoqërua me sqarime të mëtejshme mbi shumën e të ardhurave ose mënyrën se si do të zbatohet masa. Nga ana e tij, Alireza Salimi, anëtar i presidiumit të parlamentit iranian, tha se shuma e tarifave përcaktohet nga lloji dhe vëllimi i ngarkesës, si dhe shkalla e rrezikut për transportin e saj.
Ndërkohë, bllokada detare amerikane e porteve iraniane ka shkaktuar ndërprerje serioze në industrinë e naftës së vendit, por nuk e ka ndaluar plotësisht atë. Sipas firmës së analizave detare Kpler, objektet e ngarkimit mbeten funksionale dhe eksportet po vazhdojnë, kryesisht në Kinë.
