Një trup i pajetë është gjetur në rrjedhën e lumit Shkumbin nga një peshkatar lokal.

Policia ka rrethuar zonën dhe për nxjerrjen e kufomës po kërkohet ndihma e polumbarëve. Viktima është zbuluar në rrjedhën e lumit Shkumbin, pranë zonës së Katundit të Ri.

Trupi është konstatuar rastësisht nga një peshkatar amator i cili njoftoi menjëherë banorët përreth dhe më pas autoritetet. Sipas burimeve nga vendngjarja, kufoma ndodhet aktualisht në zonën pranë ish-Metalurgjikut, një territor i vështirë për t’u arritur dhe me qasje të kufizuar.

Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar perimetrin, duke ndaluar hyrjen e qytetarëve në zonë për të garantuar sigurinë dhe ruajtjen e provave. Për të nxjerrë trupin nga lumi, është kërkuar asistenca e polumbarëve dhe shërbimit zjarrfikës të Elbasanit të cilët janë në veprim për të mundësuar tërheqjen dhe transportimin e trupit drejt morgut të spitalit rajonal.

Derisa të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore, nuk ka ende informacion mbi identitetin, moshën apo gjininë e viktimës. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një mbytje aksidentale apo një ngjarje me motive kriminale. Policia është në fazën fillestare të hetimeve dhe i bën thirrje qytetarëve që kanë dijeni për ndonjë person të zhdukur, të kontaktojnë menjëherë strukturat përkatëse.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko