Komision i Pavaruar i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë prokurorin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Artan Madani me shumicë votash, pas trupa gjykuese u nda në vlerësimin e pasurisë së subjektit.

Nga Edmond Hoxhaj

Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK e përbërë nga Etleda Çiftja kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Genta Tafa (Bungo) është ndarë në rivlerësimin e drejtuesit të Prokurorisë së Kavajës, Artan Madani, i cili u konfirmua në detyrë me shumicë votash më datë 1 korrik 2019.

Prokurori Artan Madani ju nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për të tre kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Relatorja Pamela Qirko dhe anëtarja Genta Tafa(Bungo) në shumicë votash vendosën konfirmimin në detyrë të Madanit duke u bazuar në deklarimet e tij, ndërsa kryesuesja Etleda Çiftja identifikon deklarim të rremë, mungesë të burimeve të ligjshme dhe balancë negative në analizë financiare në shumën 2.9 milionë lekë – për blerjen e një apartamenti dhe një garazhi, si dhe dhe -2,7 milionë lekë në krijimin e likuiditeteve. Dyshimet se Madani mund të ketë përfituar si dhuratë të ardhura të fituara nga vëllai prej shfrytëzimit të prostitucionit nuk janë konsideruar si problematikë nga KPK.

Relatorja Pamela Qirko dhe anëtarja Genta Tafa(Bungo) kanë konkluduar për konfirmimin në detyrë të Madanit, me arsyetimin se ka arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë e të kontrollit të figurës dhe se ka një nivel të mirë kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.

Ndryshe arsyeton kryesuesja Etleda Çiftja, e cila çmon se Madani nuk ka krijuar një nivel të besueshëm për vlerësimin e pasurisë pasi ka kryer deklarim të pamjaftueshëm.

“Unë si anëtare në pakicë, bazuar në prova dhe bindjen e brendshme, vlerësoj se shumica nuk duhet të kishte disponuar konfirmimin në detyrë të këtij subjekti, por shkarkimin e tij nga detyra”, shprehet Çiftja e cila rendit një sërë problemesh, si deklarim të rremë, mungesë burimesh financiare të ligjshme dhe balancë negative në vlerë të madhe.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i kërkoi në fund të korrikut Komisionerit Publik të apelojë çështjen ndaj prokurorit Madani, duke e konsideruar si të pabazuar vendimin e shumicës në KPK për ta konfirmuar atë në detyrë, duke nënvizuar se subjekti i rivlerësimit nuk kishte burime të ligjshme për pasurinë.

ONM vinte në dukje se nuk ishte e qartë nëse babai i subjektit kishte pasur mundësi financiare t’i dhuronte Madanit një shumë parash në vlerën 1.5 milion lekë, kur në të njëjtën kohë kishte blerë një shtëpi tre katëshe të papërfunduar. Sipas ONM, pretendimi i Madanit se në dhurimin që kishte bërë i ati kishte ndihmuar edhe i vëllai, i hapte probleme të tjera prokurorit, pasi vëllai ka qenë i dënuar disa herë në Itali për shfrytëzim prostitucioni dhe armëmbajtje pa leje.

Artan Madani e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai ka punuar si prokuror në Durrës, ka drejtuar prokurorinë e Lezhës dhe është rikthyer sërish si prokuror në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2014, Madani është emëruar në Prokurorinë e Kavajës ku është promovuar më pas si drejtues i kësaj prokurorie.

Deklarimi i rremë

Në deklaratën veting prokurori Madani ka deklaruar se së bashku me bashkëshorten zotërojnë një apartament banimi me sipërfaqe 146.46 m2 dhe garazh 10.5 m2 në Durrës me vlerë totale 5,5 milionë lekë, sipas aktit të porosisë së vitit 2001, ndërsa në aktet e shitblerjes të apartamentit karabina kanë qenë përkatësisht vlerat 1.7 milionë lekë dhe 250 mijë lekë, për shkak të mospërfundimit të pronës. Si burim krijimi të këtyre pasurie Madani ka deklaruar kursimet ndër vite dhe pjesëtim vullnetar nga shitja e banesës së prindërve në vitin 2000.

“Komisioni vëren se subjekti në deklaratën veting ka deklaruar saktë të dhënat lidhur me këto pasuri dhe gjendjen e tyre në momentin e deklarimit, por duket se ka mospërputhje në deklarimet e subjektit me provat e administruara gjatë procesit të rivlerësimit lidhur me vlerën e deklaruar të këtyre pasurive”, citohet në vendimin e shumicës, ku shtohet se Madani nuk ka shënuar garazhin në deklaratën fillestare të pasurisë dhe as në vitin 2004.

I pyetur nga Komisioni gjatë hetimit në lidhje me shpenzimet, Madani ka shpjeguar se nuk disponon dokumentacion provues për sa i përket punimeve të kryera në apartament, për shkak të periudhës së gjatë kohore, pothuajse 20 vjet, si edhe informalitetit të viteve 2000.

Komisioni i vlerëson bindëse deklarimet e Madanit lidhur me vlerën e këtyre pasurive, duke marrë në konsideratë deklarimet se një pjesë e punimeve është kryer nga shoqëria. Shumica vëren se, pavarësisht se fillimisht ka pasur vetëm një marrëveshje verbale me shoqërinë ndërtuese bazuar në mirëbesim, Madani ka qenë i sinqertë në deklarim dhe se ka pasqyruar me vërtetësi pasurinë apartament në përdorim nga ana e tij dhe vlerën reale të paguar.

Duke iu referuar Kushtetutës shumica argumenton se, dokumenti ligjor prej ku fillojnë të evidentohen përgjegjësitë e subjektit për shkelje disiplinore është deklarata veting dhe të dhënat që ajo përmban. Sipas tyre, deklarimet e tjera mund të shërbejnë si provë për Komisionin në proces, por nuk mund të jenë shkak për shkarkimin e subjektit.

Qirko dhe Tafa(Bungo) vlerësojnë se situata lidhur me pasurinë garazh dhe mosdeklarimin e saj në deklaratën fillestare të pasurisë të vitit 2003 apo të vitit 2004 mund të konsiderohet si pasaktësi.

Por, anëtarja Etleda Çiftja në pakicë, vlerëson se prokurori Madani ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me kriterin e pasurisë dhe evidenton vlerat e ndryshme të apartamentit dhe garazhit në pasqyruara në aktin e porosisë dhe në atë të shitblerjes.

Çiftja konstaton se ky deklarim bie ndesh me provat shkresore dhe deklarimet e Madanit gjatë hetimit si edhe të deklaratave vjetore. Ajo thekson se në deklaratën e vitit 2003, prokurori nuk ka shpjeguar se apartamenti është në gjendje karabinaje, apo se priteshin punime ndërtimi për ta përfunduar. “Gjithashtu, në deklaratën e vitit 2003, subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar garazhin, i cili në kohën e deklarimit, sipas përgjigjeve të subjektit të rivlerësimit, ishte likuiduar totalisht”, sqaron Çiftja.

Ajo i cilëson të pabazuara pretendimet e Madanit se nuk e ka ditur që shtëpia dhe garazhi ishin trajtuar në kontrata si pasuri të ndara nga njëra-tjetra duke argumentuar vetë Madani ka nënshkruar dy kontratat më datë 1 tetor 2004, njërën për apartamentin në shumën 1,7 milionë lekë dhe tjetrën për garazhin për 250 mijë lekë, të dyja jo para noterit.

“Si konkluzion, në lidhje me deklarimin e këtyre dy pasurive, unë si anëtare në pakicë arrij në përfundimin se: i. subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin, si dhe ka kryer deklarim të rremë në lidhje me këto dy pasuri (apartamenti dhe garazhi); ii. subjekti i rivlerësimit është përpjekur të fshehë dhe ka paraqitur në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi (apartamentin dhe garazhin) dhe pas kalimit të barrës së provës nuk arriti të provojë të kundërtën e rezultatit të Komisionit”, përfundon Çiftja.

Kundërshtitë e trupës së KPK për burimet financiare

Lidhur me vlerën prej 1.5 milionë lekë që ka deklaruar se ia ka dhuruar i ati, Madani ka sqaruar se kjo shumë përfaqësonte të ardhurat e familjes së tij të krijuara nga shitja e apartamentit dhe të ardhura të tjera që dispononin. Komisioni vëren se, në deklaratën fillestare të pasurisë dhe në atë veting, Madani ka pasqyruar si burim krijimi të pasurisë apartament dhe garazh, të ardhurat e përfituara prej pjesëtimit vullnetar nga shitja e banesës së prindërve në vitin 2000 dhe kursimet e familjes së tij ndër vite.

Shumica çmon se moscilësimi apo mosdeklarimi i tyre si dhuratë në deklaratat e pasurisë të dorëzuara në ILDKPKI, nuk mund të konsiderohen pasaktësi pasi janë marrë prej tij në vitin 2001 kur nuk kishte asnjë bazë ligjore për deklarimin e pasurisë. Komisioni çmon se rëndësi ka evidentimi i mundësisë financiare që ka pasur babai i subjektit për dhurimin e kësaj shume. Sipas shumicës, rezulton e provuar se në datën 22 dhjetor të vitit 2000, babai i subjektit ka shitur një shtëpi banimi të ndodhur në Durrës me vlerën prej 1.9 milionë lekë dhe se ai ka pasur burime financiare të ligjshme për dhurimin e shumës prej 1.5 milionë lekë.

Kryesuesja Etleda Çiftja konstaton se deklarimet e burimeve të krijimit të këtyre pasurive në deklaratën e vitit 2003 dhe në atë veting janë të ndryshme, pasi në të parën deklaron si burim pjesëtimin vullnetar nga shitja e banesës në bashkëpronësi dhe kursimet ndër vite, ndërsa në të dytën kursimet ndër vite të të ardhurave dhe pjesëtimi vullnetar nga shitja e banesës së prindërve. Ndërkohë, që gjatë hetimit ai ka shtuar se është ndihmuar financiarisht herë pas here në formë dhurate edhe nga prindërit e bashkëshortes dhe nga i vëllai i saj.

Madani ka deklaruar se babai i bashkëshortes u ka dhuruar 1 milionë lekë, ndërsa bashkëshortja e tij ka përfituar një shumë prej 350 mijë lekësh që ka qenë pjesë e të ardhurave të saj në momentin që ka lidhur martesë.

Shumica konkludon se bazuar në analizimin e dokumentacionit të administruar në dosje dhe shpjegimeve të dhëna nga Madani, si edhe në zakonet e traditat e vendit, babai i bashkëshortes së tij ka pasur burime financiare të ligjshme për të justifikuar dhurimet.

Ndërsa kryesuesja Çiftja thekson se Madani ka bërë deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin, si dhe ka kryer deklarim të rremë në lidhje me burimin që ka shërbyer për krijimin e apartamentit dhe garazhit.

Duke analizuar të ardhurat dhe shpenzimet nga viti 1992 deri në vitin 2003, Çiftja konkludon se Madani ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme në shumën 2,9 milionë lekë, të nevojshme për të justifikuar blerjen e apartamentit dhe garazhit. Ajo vlerëson se nga Madani nuk u provua ligjshmëria e burimit të krijimit të dhurimeve cash nga babai në vlerën në shumën 1 milionë lekë, nga vjehrri në shumën 1 milion lekë dhe të ardhurat nga bashkëshortja në shumën 350 mijë lekë, si dhe dhurimin në natyrë të kunatit  në vlerën 300 mijë lekë.

Çiftja shton se Madani jo vetëm që nuk arriti të prapësonte mjaftueshëm konkluzionet e Komisionit, por nxori në pah mospërputhje të tjera. Në mendimin e pakicës thuhet se Madani ka deklaruar në mënyrë të pasaktë pjesëtimin vullnetar, atë që po ai vetë ka shpjeguar më pas se është një dhurim i marrë nga i ati. Më pas, ky deklarim ka ndryshuar përsëri, pasi babai i subjektit ka deklaruar se dhurimi i shumës prej 1,5 milionë lekë nuk është përfituar vetëm nga shitja e shtëpisë së familjes, por edhe nga kursimet e vëllait të subjektit të rivlerësimit. Ky i fundit në atë periudhë, por edhe në vitet e mëpasshme ka rezultuar të jetë i dënuar në Itali për shfrytëzim të femrave për prostitucion.

“Gjatë seancës së zhvilluar nga Komisioni, subjekti i rivlerësimit ra në kontradiktë me deklarimet e tij të mëparshme dhe me vetë avokatin e tij, duke deklaruar se pagesa e kësteve ka ndodhur në vitet 2002 dhe 2003 dhe jo në vitet 2001 dhe 2002  siç kishte deklaruar më parë”, konstaton Çiftja. Ajo shton se Madani nuk ka pasqyruar në asnjë nga deklarimet e tij shumën e saktë për secilin nga burimet e financimit të apartamentit dhe se nuk ka deklaruar dhurimin e shumës 300 mijë lekë nga kunati.

Likuiditetet me balancë negative

Nga hetimi administrativ është konkluduar se Madani së bashku me bashkëshorten zotërojnë një depozitë fond investimi në “Raiffeisen Bank” me vlerë 5.5 milionë lekë dhe një gjendje cash në banesë 1.2 milionë lekë, si burim krijimi të të cilave ka deklaruar kursimet nga të ardhurat e tyre.

Shumica e anëtarëve të trupës vlerëson se deklarimet për këto vlera janë të sakta, por konstatojnë se në analizën financiare për periudhën 2004 – 2016 lidhur me të ardhurat, shpenzimet, pasuritë dhe detyrimet e subjektit të rivlerësimit, ka pasur balancë negative fondesh për disa vite.

Sipas tyre, pjesën më të madhe të balancës negative e zënë vitet 2004 – 2006, për të cilat subjekti ka deklaruar shtesa të gjendjeve cash në vlera të vogla, të cilat janë pakësuar të gjitha në vitin 2007, duke mos ndikuar më tej në gjendjen cash ndër vite e cila ka shërbyer për krijimin e depozitës.

Qirko dhe Tafa(Bungo) analizojnë deklarimet periodike të viteve 2004 dhe 2005 kur Madani ka deklaruar blerjen e dy automjeteve, secili për vlerën 500 mijë lekë, por që sipas kontratës janë blerë në shumën 200 mijë lekë secili dhe argumentojnë se këto pasaktësi mund të kenë ndikuar në rezultatet e analizës financiare.

Ato çmojnë se, pas analizës financiare të përditësuar, balancat negative në likuiditete, të shtrira përgjatë viteve, nuk janë në masën që të cënojnë besimin e publikut.

Ndërsa kryesuesja Etleda Çiftja konstaton se nga analiza financiare e viteve 2003 – 2016 u konstatua se Madani kishte një balancë negative të akumuluar në shumën 2,7 milionë lekë.

Sipas saj, në prapësimet e tij Madani nuk provoi dot të kundërtën e rezultateve të hetimit. “Shpjegimet që subjekti dha nuk i përgjigjeshin të njëjtës metodologji vlerësimi që kishte përdorur Komisioni dhe, për më tepër, nuk ishin sipas të njëjtës logjikë financiare. Subjekti i rivlerësimit ishte vetëm deklarativ në prapësimet e tij, por nuk arriti të sillte prova të cilat mund të provonin të kundërtën”, shprehet Çiftja.

“Unë si anëtare në pakicë vlerësoj se subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme gjatë viteve për të justifikuar krijimin e depozitës prej 5,500,000 lekësh në ‘Raiffeisen Bank’ dhe krijimin e gjendjes cash prej 1,200,000 lekësh, në një balancë negative prej -2,700,059 lekësh”, konstaton Çiftja. Ajo shton se Madani nuk ka pasqyruar në deklaratën veting përdorimin e një automjeti ekskluzivisht.

“Për sa më lart analizova, subjekti i rivlerësimit, z. Artan Madani, nuk ka krijuar një nivel të besueshëm për vlerësimin e pasurisë, por ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me kriterin e pasurisë… . Unë si anëtare në pakicë, bazuar në prova dhe bindjen e brendshme, vlerësoj se shumica nuk duhet të kishte disponuar konfirmimin në detyrë të këtij subjekti, por shkarkimin e tij nga detyra”, përfundon kryesuesja Etleda Çiftja.

Të ardhurat e vëllait nga prostitucioni

Në raportin e parë Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK e vlerësonte të përshtatshëm për detyrën prokurorin Artan Madani. Por, nisur se në deklaratën për kontrollin e figurës dorëzuar më 26 janar 2017, ndonëse Madani i ishte përgjigjur “jo” pyetjes “a keni dijeni se një nga anëtarët e familjes suaj është përfshirë në veprimtari që lidhen me krimin e organizuar?”, ka dhënë sqarimin se ishte informuar nga vëllai se ky i fundit gjatë qëndrimit të tij si emigrant në Itali në periudhën 1995 – 2003, ka marrë dhe kryer një dënim prej 11 muajsh, në vitin 2001 për “favorizim seksual të thjeshtë (individual)” në Savona të Italisë.

Vëzhguesi ndërkombëtar ka vënë në dispozicion të Komisionit vendimin e Gjykatës së Savonës (Itali), që e ka shpallur fajtor vëllanë e Madanit për mbajtje pa leje të armëve dhe e ka dënuar me dy muaj paraburgim, si dhe 100 euro gjobë. Ndërkohë, e njëjta gjykatë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim dhe i ka hequr të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vjet për konsumim të veprës penale “shtytje e nxitje në prostitucion në territorin e një shteti tjetër” në bashkëpunim.

DSIK e ka rishikuar raportin dhe ka evidentuar edhe raste të tjera të  dënimeve të vëllait të Madanit në Itali për shfrytëzim të femrave për prostitucion e armëmbajtje pa lejë, ku vendimi i fundit është i vitit 2007. Në këto kushte, DSIK e ka cilësuar Madanin të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Por Komisioni e ka rrëzuar qëndrimin e dytë të DSIK duke përdorur mendimin e vëzhguesit ndërkombëtar. “Objekti i veprave penale për të cilat A.M., është dënuar në Itali nuk i korrespondon ndonjë prej veprave të referuara nga pika 15, e nenit 3, e ligjit nr. 84/2016. Në bazë të vendimeve të sipërpërmendura nuk mund të konsiderohet se shtetasi A.M., është një ‘person i përshirë në krimin e organizuar’, ka konkluduar vëzhguesi ndërkombëtar”, citohet në vendim.

Por, në rekomandimin e ONM për apelimin e vendimit të KPK-së, evidentohet se vëllai i Madanit për të cilin kishte deklaruar se kishte kontribuar për dhuratën 1.5 milionë lekë, përfitimet i kishte nga aktiviteti kriminal. “I vetmi aktivitet (deri në tetor 2002), ishte angazhimi i tij i madh dhe fitimprurës në shfrytëzimin e prostitucionit në Itali, për të cilin është dënuar dhe ka vuajtur dënimin”, thuhet në rekomandim.

Komisioni ka arritur në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit, z. Artan Madani, ka plotësuar saktë dhe me vërtetësi formularin e deklarimit për kontrollin e figurës. “Nga hetimi administrativ nuk u gjetën elemente që të vërtetojnë ekzistencën e kontakteve të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar”, citohet në vendimin e KPK.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re