Finlanda dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po finalizojnë negociatat për Marrëveshjen e Bashkëpunimit të Mbrojtjes, e cila do të mundësojë operimin e trupave amerikane në atë vend, njoftoi shërbimi publik finlandez YLE, duke cituar burime të paidentifikuara.

Finlanda thuhet se do të lejojë trupat amerikane të përdorin disa baza ushtarake, aeroporte dhe porte të vendit, por SHBA nuk do të hapë bazën e saj ushtarake në Finlandë.

Bisedimet mes zyrtarëve të dy vendeve kanë zgjatur prej më shumë se një viti dhe marrëveshja thellon dhe saktëson bashkëpunimin e rënë dakord në marrëveshjet e NATO-s.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrëveshje të tilla me më shumë se 20 vende, dhe e fundit është aktualisht në finalizim me Suedinë.

Zyrtarët finlandezë shpresojnë se bashkëpunimi i ngushtë me Uashingtonin do të forcojë sigurinë e Finlandës dhe se marrëveshja do të nënshkruhet para fundit të vitit.

Në prill të këtij viti, Finlanda u bë anëtarja e 31-të e plotë e NATO-s.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re