Michela Persico, partnerja e Daniele Rugani, u prek nga COVID-19 dhe për të nuk ka qenë një periudhë e lehtë, kjo edhe për faktin që është shtatzënë dhe pret të lindë. Partneri i saj gjatë kësaj periudhe qëndroi i izoluar veçmas, por sigurisht që Michela kishte frikë dhe e pranon diçka të tillë.

“Jam mirë tani. Fatmirësisht kam pasur simptoma të lehta, ethe, humbje të shijes dhe lodhje. Në krahasim me të tjerët, unë dhe Daniele ishim me shumë fat. Problemi më i madh ishte frika që kisha për shtatzëninë dhe fakti që isha vetëm.

Daniele ishte i sëmurë dhe u izolua, plus ekzistonte një shqetësim i madh edhe për familjen time. Prindërit e mi në Bergamo më thanë se vazhdimisht dëgjonin sirena të ambulancave në rrugë dhe asgjë tjetër. Ishte vetëm fillimi i marsit atëherë”, tregon Michela.

Ajo më pas tregon edhe vuajtjet në ditët e para: “Ditën që Daniele doli pozitiv, supozova se edhe unë isha gjithashtu. Ishte sikur truri im të pësonte qark të shkurtër. Mendoja të gjitha mënyrat se si mund të ndikojë kjo te fëmija im.

Ky është virusi i ri dhe nuk ia dimë efektet dhe pasoja për shtatzëninë. Ishte tmerruese. Ditët e para telefonoja këdo për këshilla. Pasi mjekët më siguruan, nisa të qetësohem dhe ta kontrolloj veten. Krijova një rutinë gjatë izolimit dhe kjo më zgjati 35 ditë”.

Në fund Michela tregon edhe se çfarë e ka befasuar atë: “U mahnita veçanërisht nga mbështetja që mora nga rrjetet sociale dhe kjo jo vetëm nga tifozët e Juventusit. Edhe Daniele u ndje mirë për këtë, pasi gjithçka e kaloi atë pjesën e të qenurit pjesë e një ekipi futbolli”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re