Nga Blendi Gashi

Për herë të katërt brenda pak javësh partitë në Kosovë u mblodhën të enjten, këtë herë në organizimin e ish-vetëvendosësve, tani Partisë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit për të gjetur një konsensus rreth temave të ashtuquajtura të mëdha. Por si tre takimet e kaluara edhe ky i fundit përfundoi pa arritjen e ndonjë marrëveshjeje mes palëve.

Të ngujuar në një nga sallat e Kuvendit, përfaqësuesit e partive folën çfarë dëshiruan, pra secili paraqiti dëshirat e tyre, temat që duan t’i shtyjnë përpara, ndërsa ashtu siç pritej mungoj konsensusi.

Pra përfaqësuesit e partive thyen kot dhëmbët duke ditur qysh në start se nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre.

Pozita qartë thotë se s’do zgjedhje dhe Thaçin e pranon si kryenegociator (NISMA e Limajt ka rezerva), ndërsa opozitarët të kundërtën.

Nëse kihet parasysh takimi i së dielës mes palëve në Bruksel, ky diskutim rreth kryenegociatorit është i kotë pasi presidenti Thaçi do jetë prijësi, për çka mori edhe “Po”-në e ndërkombëtarëve, andaj kjo temë siç duket më shumë po flitet për të përfituar ndonjë poenë politikë sepse Thaçi ua bëri të qartë se s’ka kush ta ndalë dhe u bëri thirrje opozitarëve e shoqërisë civile të bëhet pjesë e dialogut, por sigurisht nën “urdhërat” e tij.

Andaj, për këtë temë opozitarët mund të takohen me pushtetin vetëm nëse duan të bëhen pjesë e dialogut, në të kundërtën nuk kanë pse.

Tema tjetër për të cilën palën kanë mospajtime të thella është ajo e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

Dy partitë opozitare LDK-ja dhe LVV-ja kanë propozuar që të diskutohet vetëm për zgjedhjet e parakohshme, për shkak se thonë se qeveria ka humbur bazën e numrave në Kuvend, çka nuk pajtohen partitë në pushtet, PDK-ja, AAK-ja dhe NISMA.

Është krejt në rregull që opozita kërkon zgjedhje, pra ardhjen në pushtet, por kjo temë aktualisht është e thatë dhe opozitarët mund ta rrehin në vazhdimësi sa për të thënë se po bëjnë diç.

Është e thatë pasi opozita nuk i ka numrat ta rrëzojë Ramushin nga pushteti. Këtë e tregon qartë iniciativa e shumëpërfolur nga LDK për mocion mosbesimi dhe më pas tërheqja në mungesë të numrave.

Por nëse opozitarët duan që qytetarët t’iu besojnë se e kanë seriozisht duhet të nisin me mbledhjen e nënshkrimeve dhe të kërkojnë edhe votat e Listës Serbe, çka sigurt e çojnë Ramushin në shtëpi e të mos bëhen “patriotë” me arsyetimin se “s’duam ta rrëzojmë qeverinë me një parti që kontrollohet nga Beogradi.

Ky arsyetim nuk vlen nëse kihet parasysh rrëzimi i qeverisë Mustafa.

Por siç duket zhagitjet e tilla po i konvenojnë edhe opozitarëve të cilët duket se nuk janë të gatshëm për zgjedhje të reja përveç me fjalë.

Andaj opozita nuk ka kurrfarë arsye të mblidhet sërish në një tryezë tjetër me pushtetin dhe të kërkojnë nga ta që të pranojnë rrëzimin e vetvetes. Kjo është një gjë e pakuptimtë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re