Presidenti Ilir Meta është pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratën e kreut të qeverisë se ai nuk mund ta bllokojë vullnetin e parlamentit për Kodin Zgjedhor dhe nëse do t’i ulë palët në tryezë.

Meta tha se marrëveshja është firmosur më 5 qershor dhe të gjithë kanë vetëm një detyrë, ta respektojnë atë.

“Presidenti nuk ka se çfarë takimi të zhvillojë sepse është firmosur marrëveshja në 5 qershor dhe të gjithë kanë vetëm një detyrë, ta respektojnë. Pastaj se si do të veprojë maxhoranca dhe Kuvendi një partiak kjo nuk është përgjegjësi e presidentit. Presidenti mbron rendin kushtetues”, tha Meta.

Meta deklaroi se vendi duhet të realizojë zgjedhje sipas standardeve të OSBE, duke qenë se ky vit përkon edhe me presidencën shqiptare të kësaj organizate ndërkombëtare.

Ai u shpreh se ka marrë kërkesë nga opozita e bashkuar për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias.

“Unë jam sot këtu për të demonstruar edhe njëherë pozicionin e presidentit të Republikës në realizimin e zgjedhjeve sipas standardeve të OSBE aq më tepër që i ka qëlluar edhe presidenca, që është fqinj me Maqedoninë e Veriut që ka treguar se si mund të bëhen zgjedhje model. Se si do të sillet maxhoranca kjo mbetet për t’u parë.

Më vjen keq që nuk i kanë lexuar 81 faqet e presidentit por kanë reaguar menjëherë.
Secili mban përgjegjësi për aktet dhe vendimet e tij. Unë si president ka marrë një konsideratë një kërkesë të opozitës së bashkuar për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias.

Opozita e pranoi kërkesën dhe insistimin tim të mos vendoset si kusht hapjen e dosjeve për të mos patur asnjë lloj besimi te kjo qeveri sa i takon standardit të zgjedhjeve.

Ne e dimë që Venecia është institucion shumë i rëndësishëm. I dimë që vendimet e saj nuk janë respektuar nga kryeministri aktual. Shpresoj të ketë një reflektim. Presidenti ka shumë zgjidhje dhe të gjitha do të kërkojnë bashkimin e popullit”, u shpreh Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re