Kandidati për deputet i koalicionit opozitar, PD-AN, Dashamir Shehi është shprehur kundër takimeve elektorale të kryedemokratit Lulzim Basha ku shfaqet në mes të turmave të mëdha të njerëzve pa respektuar asnjë masë anti-COVID. Megjithatë për Shehin, as kundërshtari i tyre politik, Edi Rama nuk është më mirë, duke thënë se kryeministri nuk mbledh njerëz në takime për fasadë, por në “zyrat e PS që janë plot”.

“Nuk jam dakord me këtë punë, por nuk është se Rama nuk po shpëton shqiptarët, se pas orës 8:00 ik shihi zyrat e PS që janë plot, nuk është se po i vjen dëmi Shqipërisë nga takimet e Bashës. Kur bën takime të organizuara,  Basha i ka takimet me maska, Rama i mbledh në zyra”, tha Shehi.

Në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, Shehi ka pasur kritika të forta për kryeministrin Edi Rama sa i përket planit të vaksinimit në Shqipëri, me argumentin se nuk janë vaksinuar më shumë se 3% e shqiptarëve. Ndalur te llojet e vaksinave të mbërritura në Shqipëri, Shehi zgjodhi që ta përshkruante këtë me një shprehje popullore, “kur s’ke pulën do hash sorrën”, tha ai. Me këtë, ai iu referua vaksinave të ardhura nga Kina dhe Rusia, për të cilin nuk janë më të mirat, ndonëse pavarësisht kësaj u bën thirrje të gjithëve që të vaksinohen, pasi kjo është e vetmja formë për të luftuar COVID-in.

“Unë jam nga ato pak opozitar, dhe i kam thënë të gjithë vaksinat janë të vlefshme, dhe ato difektoze, të pacertifikuara, nuk gjej defekt këtu, vaksinohuni shqiptar, se po vaksinoheni për të mirën tuaj.  Është dështimi më i madh i Edi Ramës. Dje ministrja tha janë vaksinuar 200 mijë persona, ndaji për gjysmë se janë nga dy doza, janë 100 mijë të vaksinuar në 2.8 mln i bie 3% kaq është vaksinimi sot, të gjithë të tjerat janë përralla e gënjeshtra, deri mbrëmë në darkë jemi vaksinuar 3.5% mos u lodhni më shumë.

Qeveritë serioze i kanë marrë vaksinat me kohë, ky i yni bredh si hije në Shqipëri dhe u thotë ‘shqiptarëve po ju shpëtoj  nga vdekja’, kjo është fushata e tij se nuk ka ç’thotë tjetër. Rama jo vetëm do i humbi zgjedhjet, por sepse nuk tregoi kujdesin e duhur për shëndetin e njerëzve.  Rama na la pa vaksina. Kur s’ke pulën do hash sorrën. Me sorrën na ka lënë Rama, na ka lënë më rusët dhe kinezët, madje nuk i kemi blerë te dyqanet e tyre, por te turqit dhe arabët, shiko sa zullume ka bërë që nuk përmenden, nuk i ka gjetur vaksinat dhe nëse i ka gjetur, ka gjetur ato më të këqijat dhe i ka blerë më shtrenjtë. Shqiptarë, do ju vijë një qeveri që do ju vaksinojë me vaksina perëndimore, ky është premtimi, ky njeri na ka lënë në mëshirë të COVID-it”, tha Shehi.

Përtej COVID-it, Shehi u ndal edhe në zhvillimet politike, e më konkretisht te takimi i Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Mathew Palmer me krerët e politikës shqiptare, për të cilin ishte në favor të kryedemorkatit Lulzim Basha.

“E lexova që Rama duhet të ikë deklaratën e Palmer, sepse nuk ka pse e thërret kryeministrin, presidentin, liderin e opozitës në takim, i thirri si konkurrent në garën elektorale, Palmer e barazoi Bashën me institucionet, u tha ju jeni të barabartë përpara Amerikës, kështu nga ky moment që presidentin dhe kryeministrin i vuri pa spaleta para Bashës”, tha ai.

Sa i përket fushtës elektorale dhe zgjedhjeve të 25 prillit, Shehi tha se PD-ja ende nuk ka fuqinë që ta mund e vetme PS, e për këtë i nevojitet patjetër LSI-ja. Ai shtoi se pas zgjedhjeve opozita ka nevojë për debat të brendshëm, e ndërsa ndalur te rezultati i 25 prillit, për Shehin, ai do të jetë i pranuar nga palët, edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve. Nga ana tjetër, Shehi nuk e ka përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi me partinë e Jozefina Topallit dhe Astrit Patozit.

“Patozi dhe Topalli, nuk i shoh si kundërshtarë, do doja që këto të ishin të gjithë këtu, nuk u mbërrit, por nuk e quaj një dramë të madhe, nuk e quaj të pamundur bashkëpunimi pas, uroj që të ruajnë frymën opozitare, kundërshtari është Edi Rama”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re