Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka ngritur shqetësimin për përdorimin e tullumbaceve me oksid azoti nga të rinjtë.

Në një deklaratë për mediat, ajo u shpreh se publikimi në rrjetet sociale i të rinjve që përdorin këto drogëra është fatkeqësisht vetëm maja e asjbergut, ndërsa theksoi se fenomeni ka qenë aty i pranishëm prej kohësh.

Ajo u shpreh se duhet plotësuar vakumi ligjor, duke e klasifikuar këtë gaz si lëndë të dëmshme për shëndetin e të rinjve dhe duke e ndaluar përdorimin e tij përveçse për qëllime mjekësore.

Deklarata e plotë e nënkryetares së Partisë së Lirisë:

Prej disa javësh, në media është ngritur shqetësimi i disa llojeve të reja drogërash, pre e të cilave po bien përditë fëmijët tanë. Publikimi në rrjetet sociale i të rinjve që përdorin këto drogëra është fatkeqësisht vetëm maja e asjbergut. Fenomeni ka qenë aty i pranishëm prej kohësh dhe provon dështimin e strukturave të posaçme shtetërore në parandalimin e tij.

Në mënyrë të vecantë, shqetësim për shëndetin e të rinjve dhe fëmijëve janë bërë tollumbacet me monoksid diazoti.  Përdorimi i këtij gazi vërehet në masë mes nxënësve të shkollave të mesme (pa përjashtuar këtu edhe shkollat 9-vjeçare) dhe studentëve, të cilët shpesh bien pre e abuzimit me sasinë e tij. Në datën 7 tetor 2023, u raportua edhe rasti i parë i një të riu 15-vjeçar, i cili shkoi në spital në gjendje të rëndë, si pasojë e konsumimit të tullumbaceve me monoksid diazoti.

Partia e Lirisë ka kërkuar me forcë në komisione plotësimin e vakumit ligjor, duke e klasifikuar këtë gaz si lëndë të dëmshme për shëndetin e të rinjve dhe duke e ndaluar përdorimin e tij përveçse për qëllime mjekësore.

Pasi pas kanabisit dhe ketaminës, ky gaz rezulton së fundmi një nga substancat më të keqpërdorura mes 16 dhe 24-vjeçarëve në botë. Ky gaz ngadalëson reagimin psikomotor dhe mund të japë halucinacione, dhimbje të forta koke dhe ndjenja paranoje. Përdorimi i shpeshtë i tij mund të shkaktojë probleme me zemrën, mbytje dhe dëmtime nervore dhe nëse merret mbidozë, mund të çojë në paralizë ose vdekje.

Aktualisht, ky gaz tregtohet lirisht në lokalet e Tiranës, madje shoqërohet edhe me faturë. Kjo drogë që rrezikon shëndetin e jetën e fëmijëve dhe të rinjve taksohet njësoj si produktet e tjera. Tregtarët e këtij rreziku veprojnë të lirë sepse nuk ka bazë ligjore mbi të cilën të ndërmerren masa. Aksionet në baret dhe mjediset e tjera rreth shkollave bëhen nul në mungesë të bazës ligjore.

Në këto kushte, i jemi drejtuar Parlamentit me një kërkesë për ndryshimin e ligjit Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope. Kemi kërkuar ndryshimin e ligjit dhe krijimin e bazës ligjore për ndalimin e prodhimit, shpërndarjes  dhe tregtimit të monoskidit të azotit, duke e klasifikuar atë si lëndë me rrezikshmëri të lartë që përdoret vetëm në mjekësi.

Është e domosdoshme të ndjekim shembullin e vendeve të tjera, që e kanë kuptuar në kohë rrezikun e kësaj lënde dhe e kanë bërë atë të paligjshme. Britania e Madhe nga muaji i ardhshëm do të ketë efektiv ligjin që ndalon këtë lëndë dhe dënon tregtarët e saj deri në 14 vjet burg.

Ndërsa emigrimi e tkurr përditë e më shumë numrin e të rinjve në Shqipëri, ne nuk do të lejojmë që shëndeti dhe jeta e atyre që po rriten të vihet në rrezik!

Raporti i fundit i FDI Intellegence, Shqipëria është i vetmi vend jashtë Afrikës për nivelin më të lartë të emigrimit të trurit, duke u renditur e 8-ta në rang global në vitin 2022.

Nisur nga domosdoshmëria e një ligji të tillë për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë, kërkojmë futjen me urgjencë të këtij amendamenti në rendin e ditës. Askush nuk mund të nxjerrë fitime duke helmuar rininë e këtij vendi.

Ndaj dhe është emergjente diskutimi në seancë dhe miratimi sa më parë i këtij projektligji,  pa u zvarritur në burokracitë parlamentare.

Duhet të veprojmë sot, pasi shëndeti i fëmijëve shqiptarë duhet të jetë prioritet!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re