Numri i infeksioneve të reja me koronavirus në botë ka rënë me 19 për qind gjatë javës së kaluar, ndërsa numri i vdekjeve nga efektet e infeksionit mbetet i palëvizshëm, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Agjencia e Shëndetësisë e Kombeve të Bashkuara (OKB) tha të martën vonë në raportin e saj javor mbi pandeminë se pak më shumë se 16 milionë infeksione të reja dhe rreth 75,000 vdekje ishin raportuar në mbarë botën javën e kaluar.

Paqësori Perëndimor është i vetmi rajon që raporton një rritje të rasteve të reja prej rreth 19 përqind. Azia Juglindore raportoi një rënie prej rreth 37 përqind, më e larta në nivel global. Numri i vdekjeve u rrit 38 për qind në Lindjen e Mesme dhe rreth një e treta në Paqësorin perëndimor.

Numri më i madh i rasteve të reja është regjistruar në Rusi. Rastet në Evropën Lindore janë dyfishuar në javët e fundit, të nxitura nga një përhapje e varianteve të reja Omicron shumë ngjitëse.

OBSH deklaroi se të gjitha variantet e tjera të koronavirusit, përfshirë Alfa, Beta dhe Delta, vazhdojnë të bien globalisht për shkak të përhapjes së Omicron.

Ata deklarojnë se versioni BA.2 i Omicron është në rritje dhe se prevalenca e tij është rritur në Afrikën e Jugut, Danimarkë, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera.

Drejtori i OBSH-së për Afrikën, Matshidiso Moeti tha javën e kaluar se një “dritë në fund të tunelit” po afrohej për kontinentin afrikan dhe se pavarësisht shkallëve të ulëta të vaksinimit, Afrika po dilte nga faza akute e pandemisë së COVID 19.

Ky optimizëm bie ndesh me paralajmërimet e Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili ka thënë vazhdimisht se pandemia nuk ka mbaruar dhe është shumë herët që vendet të mendojnë se një fund mund të jetë i afërt. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re