Franca do të paraqesë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) projekt-rezolutë që kërkon armëpushim mes Izraelit dhe Palestinës.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së u mblodh në një seancë të mbyllur për herë të katërt për të diskutuar për sulmet ajrore ndaj Gazës dhe tensionet mes Izraelit dhe Palestinës.

Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka marrë nga burimet diplomatike pas mbledhjes, mësohet se Franca me Tunizinë do t‘i paraqesin Këshillit të Sigurimit të OKB-së një projekt-rezolutë që kërkon “armëpushim dhe qasje të ndihmave humanitare”.

Ndërsa Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm në OKB i Kinës e cila ka presidencën e radhës për muajin maj në Këshill, në një deklaratë për gazetarët pas mbledhjes tha se “Dhunës, konflikteve duhet t‘i jepet fund dhe civilët duhet të mbrohen”.

KS-OKB është mbledhur më parë tri herë për të diskutuar krizën Izrael-Palestinë por për shkak të qasjes pro-izraelite të SHBA-së e cila ka të drejtën e vetos, deri më tani në Këshill nuk është ndërmarrë ndonjë hap.

Sipas OKB-së, për shkak të sulmeve ajrore të Izraelit ndaj Gazës janë zhvendosur mbi 58 mijë palestinezë.

Në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë që nga 10 maji e deri më tani në Rripin e Gazës kanë humbur jetën 218 persona, përfshirë 63 fëmijë dhe 36 gra ndërsa janë plagosur 1.507 të tjerë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re