Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re

Rritje këtë vit në vendin tonë po njeh jo vetëm turizmi bregdetar, por edhe ai malor. Sipas tur-operatorëve, mund të flasim për një rritje me gati 25% të turistëve të huaj që vijnë për të vizituar veriun e Shqipërisë.

 

E tillë është edhe kjo familje nga Belgjika, që ka zgjedhur të pushojë në një nga bujtinat e Matit.

 

THIJS RAES

TURIST NGA BELGJIKA

 

“Ne jemi nga Belgjika dhe kemi ardhur në këtë zonë në Shqipëri sepse nuk ka shumë turistë. Por ne zgjodhëm specifikisht këtë vend sepse ka me pamje fantastike. Gjithashtu ne ikim të notojmë këtu afër. Për fëmijët ishte shumë zbavitëse sepse hidheshin nga shkëmbinjtë në ujë. Erdhëm pasi lexova për Shqipërinë. Jam i dhënë pas shteteve me shumë male, dhe ky është një vend që më tërheq shumë, pasi ka zonë malore shumë të mirë. Më kujton shumë Francën. Na pëlqen bujaria e shqiptarëve. Ato të përshëndesin kudo. Nuk mendoj se e ke të njëjtën eksperiencë në Belgjikë. Njerëzit këtu janë shumë të mirë”.

 

BECK VERTHE

TURISTE NGA BELGJIKA

 

 “Ne ndihemi shumë të relaksuar këtu. Jemi të rrethuar nga natyra e bukur e zonës së Burrelit. Ndihemi sikur jemi në shtëpi. Jemi të mirëseardhur nga të gjithë. Ushqimi është i shijshëm. Është destinacion perfekt.”

 

Këtë vit sipas tur-operatorëve, janë shtuar në numër turistët që vijnë në mënyrë individuale dhe jo në grupe të organizuar.

 

XHIMI LAMA

OPERATOR TURISTIK

 

“Trendi ka ndryshuar, para pandemisë vinin të organizuar, ndërsa tani vijnë në mënyrë individuale, kjo do të thotë se nuk kanë më frikë, e quajnë Shqipërinë një vend të hapur. Këtu ka ndikuar edhe shtimi i fluturimeve low-cost.”

 

Me rritjen e të huajve që vijnë për turizëm malor, bizneset në zonë kërkojnë edhe më shumë investime në infrastrukturën rrugore, për të vizituar të gjitha atraksionet.

 

Grupet e interesit ngrejnë shqetësimin edhe për numrin e shtretërve në zonat malore, që sipas tyre, mbetet ende i ulët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re