Turistët e huaj po shtohen ditë pas dite dhe Durrësi tashmë ngjan me një qytet ku fliten gjuhë të shumta.

 

Qendra dhe zonat përreth amfiteatrit antik janë zonat më të populluara për momentin. Një çift nga Izraeli shprehet se ka qenë djali i tyre që erdhi fillimisht në Shqipëri për një koncert dhe ua rekomandoi më pas atyre .

 

TURISTE

“Djali ynë na tha, pse nuk shkoni në Shqipëri? Do të çuditeni. Ne e dinim para se të vinim, se Shqipëria ishte vendi ku numri i hebrenjve u rrit më shumë pas mbarimit të luftës së dytë botërore, sesa ishte më parë. Kjo është e mrekullueshme për ne.”

 

Një tjetër turist që ka ardhur nga Gjermania, shprehet se qyteti është i bukur.

 

“Erdhëm dje dhe po e shijojmë qëndrimin këtu, në hotel është shumë mirë dhe ja tani po shkojmë në amfiteatër. Pastërtia dhe njerëzit janë mikpritës. Arsyeja kryesore që vendosëm për të ardhur ën Durrës është porti. Kam lexuar diçka për historinë në lidhje me grekët, ilirët dhe Ali Pasha. Edhe monumentet e kulturës mendoj se disa janë mbajtur në gjendje të mirë, disa jo, por mendoj se duhet ruajtur një balancë midis mbajtjes në gjendjen e tyre origjinale dhe rindërtimit të tyre. Çdo vend ka përvojën e tij në mirëmbajtje e siteve arkeologjike dhe Shqipëria duket mirë në këtë drejtim.”

 

Turisti nga Suedia:

 

“Pamë amfiteatrin, është me të vërtet shumë i bukur, por mendoj se duhet të ketë më shumë shenja shpjeguese dhe të dokumentohet më mirë.”

 

Turisti nga Armenia:

 

“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe kemi parë disa vende deri tani. Edhe Durrësi më duket qytet i bukur, amfiteatri gjithashtu. Kam lexuar pak për vendin tuaj dhe fillimisht kam mësuar për Ismail Bej Vlorën.”

 

Arjana Isaku, përfaqësuese e një agjencie turistike në Durrës, shprehet se këtë vit janë të shumtë turistët që vijnë nga Spanja, Gjermania, Polonia dhe vende të tjera të lindjes, por risia e këtij viti është ardhja e grupit të parë me turistë nga Kina.

 

Përveç numrave në rritje nga viti në vit të turistëve të huaj, përfaqësues të agjencive turistike shprehen se industria e turizmit në vendin tonë akoma nuk është gati, që të përballet me një bum të tillë turistik.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re