Një 51-vjeçar është arrestuar nga policia pasi akuzohet se i dha turistit belg Jet Ski, i cili pësoi aksident në det, pa masat e sigurisë të nevojshme. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme (15 Qershor), në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”.

Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale S. Xh., banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Raportohet se 51-vjeçari i ka dhënë me qira mjetin lundrues, pa masat e sigurisë të nevojshme, turistit me iniciale H. K., i cili nuk ishte i pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.

Ky i fundit ndodhet u dëmtua gjatë manovrave me mjetin lundrues dhe vijon të jetë në spital në gjendje të rëndë për jetën nën kujdesin e mjekëve.

Njoftimi i policisë:

Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin S. Xh., 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, rezultoi se shtetasi S. Xh. i ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, pa masat e sigurisë të nevojshme, shtetasit belg H. K., i cili nuk është i pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh. Gjithashtu, shtetasi S. Xh., gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, ka dhënë informacione të rreme për rastin.

Shtetasi H. K., që u dëmtua gjatë manovrave me mjetin lundrues, vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko