Detaje të tjera bëhen me dije për vdekjen e turistit francez në Skrapar. I identifikuar si Claus Federic, 49-vjeç, viktima raportohet se është gjetur i pa jetë në bujtinën ku po kalonte disa ditë në qytetin e Skraparit. Pronari i bujtinës tregon se ishte ai që e gjeti trupin e të ndjerit.
Pasi ishte kthyer nga shëtitja e përditshme, mësohet se Federic kishte drekuar në restorantin e bujtinës dhe më pas kishte shkuar për të pushuar në dhomën e tij. Rreth orës 19:00 pronari i bujtinës ishte shqetësuar që ai nuk kishte zbritur për të darkuar si zakonisht dhe për këtë arsye ai kishte trokitur disa herë në derën e dhomës së tij.
Pasi nuk ka marrë asnjë përgjigje, pronari ka hapur me forcë derën ku po qëndronte turisti francez dhe ka gjetur trupin pa shenja jete në krevatin e dhomës.
Pas njoftimit në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia dhe ka kryer edhe veprimet e para hetimore. Raportohet se nga këqyrja paraprake në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune. Sipas policisë, dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale dhe shkak për vdekjen e papritur të turistit francez është bërë një arrest kardiak. Trupi i pajetë është transportuar drejt Morgut të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku edhe do të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore.