Nga Blerina AGO/ Eksperte turizmi

“Emocionuese” është ndoshta fjala më e mirë për të përshkruar Shqipërinë. Nga veriu në jug, Shqipëria është takimi i përsosur i mjedisit natyror, i historisë, i kulturës, i kuzhinës dhe i njerëzve mikpritës. Këto të gjitha mblidhen së bashku për të formuar një destinacionin botëror për  pushuesit aktivë.

Ecje në borë (snowshoeing) në malin e shenjtë të Tomorrit

Ndërsa Shqipëria është shumë herë më e aksesueshme gjatë muajve të ngrohtë, duket se përherë e më shumë ka interes nga turistët shqiptare dhe të huaj për eksplorimin e majave të thepisura dhe argëtimin në borë. Berati, ky qytet i bekuar, ka një mal të madhërishëm. Ecja në borë me ndihmën e pajisjeve (snowshoeing) është sporti i ri i dimrit për të zbuluar Tomorrin, malin e shenjtë të shqiptarëve, vendi i dodonës pellazgjike .

Çiklizëm dhe vëzhgim zogjsh në lagunën e Karavastasë

Sigurisht, laguna më e bukur në detin Adriatik, ndodhet rreth një orë e 45 min me makinë larg Tiranës. Laguna ndahet prej detit nga pylli me pisha i Divjakës. Laguna e Karavastasë është vendi më perëndimor në Europë ku Pelikani Kaçurrel (Pelikanus Crispus) bën fole, gjithashtu rreth 5% e popullsisë së shpendëve në të gjithë botën jeton në Karavasta. Mënyra më e mirë e eksplorimit pa shqetësuar florën dhe faunën është nëpërmjet shëtitjes me biçikletë ose rremimit me kajak. Për t’u vizituar gjatë gjithë vitit, nga të gjitha moshat.

River hiking në Kanionet e Osumit

Ndërsa rafting është kthyer në një nga sportet popullore, aktiviteti i river hiking të jep mundësinë të përjetoni gjatë muajve korrik-nëntor Kanionin e Osumit, një nga atraksionet më spektakolare natyrore në Europë duke notuar në një nga pishinat natyrore të rrethuara nga ekosistemi unik dhe i gjelbër i kanionit. Aktiviteti ideal për t’ë prekur nga afër pikat interesante si Katedralja, Ujëvara e Dashurisë, Porta e Djallit, Koka e Krokodilit dhe të përjetoni ndjesinë si të jeni personazh i filmave Avatar, Mbreti i Unazave dhe Tarzani. E rekomandueshme edhe për fëmijët mbi 5 vjeç.

Hiking nga Valbona në Theth

Ecja nga Valbona në Theth është një nga më të njohurat në Bjeshkët e Nemuna dhe një aventurë që nuk duhet humbur për të përjetuar bukurinë dhe traditat e Alpeve shqiptare. Shtegu Valbonë – Theth, në dy luginat e shpallura Parqe Kombëtare, meriton të gjithë popullaritetin e saj për peisazhin mahnitës, të arritshëm lehtësisht falë një itinerari të mirëmbajtur. Periudha më e mirë për t’u vizituar është Maj-Tetor. E përshtatshme edhe për familjet aktivë.

Snorkeling në Krorëz dhe kajak pranë teatrit të Butrintit

Lukova është një fshat i vogël në Sarandë, tradicional me plazhe të mrekullueshme dhe ujëra blu turkeze. Kur të arrini, ju do të filloni një ecje relativisht të lehtë në një nga plazhet më të bukura shqiptare, Krorëz. Mundësi për të parë një peisazh fantastik. Pas drekës me bazë peshku mund të vizitohet teatri i Butrintit duke shijuar perëndimin e diellit me kajak drej kalasë së Ali Pashës. Periudha më e mirë për ta provuar Mars- Nëntor.

Karvan me mushka drejt Ujvarës së Sotirës

Një nga peizazhet më mahnitëse, ujëvara e Sotirës ndodhet rreth 2 orë larg fshatit autentik Qaf Dardhë. Një nga ujëvarat më të bukura të Shqipërisë jugore. Bukuria e ujëvarës kombinohet me një shëtitje me mushka mes një natyre të egër, duke sjellë një përvojë epike. Gjatë rrugës kaloni nëpër fshatra me shtëpi prej guri e balte, ku jeta është e njëjtë me 200 vjet më parë. Ujëvara ka një lartësi prej 100 metrash dhe në luginën fantastike mund të shijoni një piknik me produktet e zonës. Për t’u vizituar gjatë gjithë vitit.

Eksplorim i shpellës së Pëllumbasit

Shpella e Zezë e njohur ndryshe edhe si shpella e Pëllumbasit, monument natyre, (650 m mbi nivelin e detit), është cilësuar si një nga shpellat karstike dhe vendbanimet prehistorike më të rralla të Shqipërisë. Ndodhet 25 km larg Tiranës. Skeletet e gjetura në këtë shpellë i përkasin ariut të shpellave (Ursus Speleaus), që ka jetuar 400.000 deri 10.000 vjet më parë. Në të gjithë Europën janë vetëm pesë shpella të tilla. E eksplorueshme përgjatë gjithë vitit.

Rafting në lumin e egër të Vjosës dhe shijimi i banjove termale të Bënjes në Përmet

Lumi Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të rrjedhshëm të Europës, në të gjithë rrjedhën e saj 270 km është e egër, e pandotur dhe e stolisur me kanione të bukura, ishuj të vegjël dhe ujë të kristaltë. Rafting është emocionues, argëtues dhe ia vlen çdo sekondë i shpenzuar për të. Për t’u relaksuar në mbrëmje, ju mund të vizitoni Banjat Termale të Benjës dhe të ngjiteni në kanionin e Lengaricës ku mund të shplodheni dhe notoni në ujërat e tyre natyrore. Periudha Mars-Nëntor.

Hiking drejt liqeneve të Rrajcës, Elbasan

Ndodhen në shpatin lindor të Parkut Kombëtar Shebenik Jabllanicë, të vendosura në një cirk të madh kompleks akullnajor, në afërsi të fshatit Rrajcë, Përrenjas, 2200 m mbi nivelin e detit. Janë katër liqene akullnajore, me gjatësi e gjerësi mesatare 100 – 200 m dhe 80 – 100 m, thellësi deri  në disa metra. Kanë ujë të pastër si kristali dhe të ftohtë. Gjatë dimrit ngrijnë në sipërfaqe. Këto zona natyrore të Shqipërisë janë tashmë zona të trashëgimisë botërore të UNESCO-s për pyjet e lashta ahore. Për t’u vizituar gjatë gjithë vitit.

Shëtitje me motorbarkë në gadishullin e Karaburunit

Ujëra të mbrojtura dhe shpella misterioze në qytetin e Vlorës, qendën e iso-polifonisë dhe vendi që ngriti për herë të parë flamurin shqiptar. Eksploroni gadishullin e bukur Karaburun me motorbarka, duke përfshirë parkun kombëtar detar Karaburun-Sazan, rezerva e vetme e këtij lloji në vend, shtëpia e breshkave dhe delfinëve. Vizitoni shpellën misterioze të Haxhi Alisë, përdorur nga tregtarët dhe piratë për mijëra vjet, tashmë një monument kombëtar. Zhytuni në një nga gjiret e mrekullueshme dhe bëni banjo dielli në plazhet e paprekura. Periudha Maj-Tetor.

Gjatë eksplorimit të këtyre thesareve të Shqipërise, shpesh në zona të thella,  ju vini si turistë dhe largoheni si miq, duke kontribuar në ekonominë lokale përgjatë gjithë zinxhirit të bizneseve që lidhin aktivitetet në natyrë, nisur me hotelet dhe bujtinat, restorantet e zonës, shërbimet e transportit, artizanatin dhe sigurisht ndihmoni në punësimin e të rinjve pranë famijes dhe vendlindjes së tyre. Nisini udhëtimet e 2019 nga Shqipëria juaj.

“Politiko.al”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re