Teksa jemi në prag të çeljes të sezonit turistik, ky sektor has ende probleme. Nevoja për punonjës ështe e madhe, por shumë të rinj ankohen se oferta nuk përshtatet me kërkesat e tyre.

Lidhur me shqetësimet e sektorit të turizmit për mungesën e fuqisë punëtore foli sot për edicionin qendror të Vizion Plus, përmes lidhjes Skype, eksperti i punësimit Erjon Muça.

Në intervistën për moderatoren Pranvera Borakaj, eksperti tha se pagat e punojësve të sektorit të turizmit janë rritur vitet e fundit. Por kjo rritje ka sjellë një mbingarkesë për punonjësit, jo vetëm orë të zgjatura pune, por edhe realizimin e dy tre proceseve një herësh. Kjo gjë sipas tij nuk ndodh në rajon, e për rrjedhojë shumë të rinj emigrojnë për punë sezonale.

Pjesë nga intervista

Pranvera Borakaj: Bizneset turistike po bëhen gati për sezonin, por edhe këtë vit, sfidë për ta është gjetja e fuqisë punëtore, pavarësisht rishikimit të pagave. Pse, sipas jush, ky sektor po has vështirësi për punonjës shërbimi?

Erjon Muça: Së pari në Shqipëri ka një diferencë mes kërkesës dhe ofertës për punë e cila, në këtë sektor e ka dëmtuar më së shumti, sepse ky është sektor që ofron mundësinë për punë vetëm në mënyrë sezonale, duke patur relativisht të vështirë për të siguruar kontrata me shumë se 6 muaj për punonjësit. Pavarësisht nivelit të lartë të pagave vështirësia rritet kur koha në të cilën një punonjës duhet të punojë është relativisht e shkurtër, duke u shoqëruar me pasiguri të tjera për të gjetur një punë pas 6 muajsh sezon. Së dyti lidhet me perceptimin e përgjithshëm të paragjykues për këtë sektor, deri para dy vitesh ky sektor ka qenë me informalitete të lartë të punës dhe shfrytëzim të punonëjsve, jo vetëm mos pagimit të orëve shtesë por edhe kushteve të tjera plotësuese, respektimi kontratave… Së treti mendoj se ky është sektor që duhet të bëjë llogari të mirë dhe konkurojë denjësisht edhe me tregun e rajonit, sepse sot një pjesë e mirë e të rinve që e synojnë këtë sektor, preferojnë rajonin dhe jo vendin tonë.

Pranvera Borakaj: Duke i krahasuar me rajonin, si janë kushtet e punës në një sipërmarrje turistike në shqipëri?

Erjon Muça: Kushtet e punës paga, sektori turizmit në Shqipëri i i ka rritur ndjeshëm pagat në dy vitet e fundit dhe kjo është e vërtetë. Por ideja është që rritja e pagave është shoqëruar me një mbingarkesë për punonjësit, jo vetëm orë të zgjatura pune, por edhe realizimin e dy tre proceseve një herësh.

Pranvera Borakaj: Nga njëra anë kemi biznese me vende të lira pune dhe nga ana tjetër, shkalla e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç vjen në rritje. perse ndodh kjo dhe sa i përshtatet oferta e tregut pritshmërive të të rinjve?

Erjon Muça: Diferenca ndodh së pari sepse në Shqipëri mundësia dhe opsionet për punë janë të ndryshme nga formimi, apo niveli arsimor që ka shumica e të rinjve..60 apo 70% e tregut ka hapësira për punë elementare që nuk kërkojnë një arsim apo formim të zhvilluar profesional, mjafton të vihesh në dispozicion të punës, ta mësosh në ditët e para për të realizuar kryesisht procese pune teknike, mekanike që mësohen përgjatë ditëve të para të punës. E dyta lidhet shumë me infrastrukturën në tërësi, çfar ofrohet sot për të rinjtë në Shqipëi, jo vetëm niveli i pagës, por edhe te elementi i respektimit të kontratave të punës.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re