Në një nga stand up-et e fundit gazetareske të Blendi Fevziut i mëshohet prej tij rënies së dukshme të turizmit bregdetar këtë sezon, ku shezlongje në shumë plazhe shihen bosh dhe në kulmin e tij aktualisht, krahasimisht me sezonet e viteve të fundit.

Fevziu e quan madje si “dështim” këtë sezon, duke u bërë thirrje shumë shërbimeve turistike shqiptare që të ndërgjegjësohen për atë që po shkon keq te ata dhe ndryshojnë kurs.

Por nga një prej emrave më të suksesshëm të turizmit shqiptar, jo atij bregdetar por agro, Alti Prenga i Mrizit në Fishtë të Lezhës, vjen një qasje krejt tjetër nga ajo e Fevziut.

“Lidhun me temën që hapi @blendifevziu, personalisht mendoj që turizmi shqiptar asht në një prej momenteve ma të mrekullueshme.

Sukses nuk do të thotë me mbush çdo shezlon apo objekt prej betoni.

Po na vijnë miq të mirë, ndoshta edhe ma të mirë se ç’i meritojmë.

Prej jugut në veri, prej detit në mal, strukturat cilësore janë plot.

E ata që e shohin turizmin veç si mënyrë pasunimi, pa pasion e përkushtim, urojmë me pasë punë pak e ndoshta konkurrenca ka me i detyru me u ba ma mikpritës, ma të ndershëm në çmim, e me u kthye te identiteti. Ndoshta kjo ka me na ndihmue me ruejt reputacionin tonë kombëtar.

Dhomat për gusht i kemi të zanë prej 5 mujsh, e mund t’i kishim shitë dyfish ma shtrenjtë por nuk e bâmë.

Përkundrazi, po i sugjerojmë mysafirët me u sistemu te bujtinat tjera në zonë, që e gjithë zona me përfitue e me ecë përpara bashkë”. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re