Kryeministri Edi Rama, në episodin e radhës në podkastin e tij “Flasim”, ka folur lidhur me sezonin turistik në vendin tonë.

Sipas Ramës, kryeqyteti është një bazë turistike e fuqishme për Shqipërinë, pasi dikur në muajin gusht largoheshin të gjithë, ndërsa tashmë malet janë plot.

Ai shtoi se shezllongët u kanë ardhur në majë të hundës popullit.

Kryeministri u shpreh se duhen vendosur çmime të arsyeshme për ato dhe njerëzit të kenë undësi të vendosin çadrat e tyre lirisht.

“Tirana është bërë një bazën turistike shumë e fuqishme, e paimagjinueshme deri pak vite më parë ku në Tiranë në gusht iknin të gjithë dhe nuk kishte këmbë njeriu, por zonat e thella, malet janë plot.

U krijua volumi i madh, u krijua edhe pritshmëria dhe o burra të gjithë me shezllone, shezllonet këtë vit e bënë me sukses kryerjen e punës së tyre të ardhjes në majë të hundës të të gjithë popullit.

Do të duhet dhe do ta fillojmë me bashkitë që të marrin hapësira dhe të vendosin bashkitë çadra dhe aty ku është e arsyeshme, edhe shezllone, por me çmim tavan të arsyeshëm për njerëzit që vijnë. Është e rëndësishme që edhe dy pensionistë të shkojnë në plazh dhe të rrinë me çmim të arsyeshëm. Të kenë mundësi njerëzit të vijnë me çadrat e tyre, të paguajnë një shumë minimale për pastrimin, duhet çliruar kjo mushkëri e detit dhe e rërës nga gjithë këto insekte që e sulmuan rëndë këtë vit. Të gjitha këto sjellin rritje”, tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re