Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, është shprehur se po krijohet brenda Policisë së Shtetit një forcë kombëtare e sigurisë publike, e cila sipas tij, do të jetë e gatshme të përballojë nevojat e Shqipërisë turistike.
Komentet Balla i bëri gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat, qeveria po prezantonte bilancin turistik të sezonit veror.
Balla tha se kjo forcë që po krijohet, është e nevojshme pasi Policia në zona të caktuara, për shkak të familjarizimit, nuk ndërhyn me efikasitet.
Ai tha gjithashtu se hedhjes së fishekzjarreve në çdo cep të Shqipërisë, do u vijë fundi, pasi sipas tij, janë kthyer në shqetësim për qytetarët.
“Janë trajtuar telefonata dhe ankesa nga publike, vetëm në zonat turistike, 2905 raste, mosmarrëveshje të ndryshme, 1194 raste. Tek zhurmat do të fillojmë të trajtojmë edhe çështjen e fishekzjarrëve. Historisë së fishekzjarrëve në orën 12 të natës në çdo cep të Shqipërisë duhet t’u vijë fundi.
Dhënie ndihmë për humbje në zonat malore në pyje për 12 raste për 21 shtetas. Sot dy janë porositë e mia, e para lidhet me investimet në sinjalistikë rrugore, në zonat që të çojnë te deti apo te destinacionet turistike. Duhet të vendosim tabelat e tërheqjes së vëmendjes, në zonat ujore me rrezikshmëri të lartë. Viti që kemi para do të jetë një sprovë e vërtetë zjarri për Shqipërinë tonë turistike.
Në këtë fazë të re që do jemi, nëse nuk do jemi në lartësinë e pritshmërive të botës ndaj nesh, ky nam që kemi marrë sot, do të na kthehet në bumerang. Policia e Sarandës për shkak të fenomenit të familjarizimit, nuk mund të reagojë shpejt dhe efektivitet. Po krijojmë një forcë kombëtare të sigurisë publike, që do të jetë e gatshme për përballojë nevojat e Shqipërisë Turistike 10 milionë plus”, u shpreh Balla.