Dekani i fakultetit të artit skenik, aktori i njohur Petrit
Malaj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka treguar një ngjarje aspak e
këndshme që i ndodhi mbrëmjen e djeshme në një ndër urbanët e linjës të
kryeqytetit.

Postimi i plotë:

Mendova se ditën e sotme e mbylla mire me atë çka shijova
pasi pashë në kinema Millenium dokumentarin e Ervin Lera “Emancipimi i
turmave”, por nuk qe e thënë!

Mora rrugën e kthimit për në shtëpi me autobus. Kam ditë që
makinën e përdor shumë pak si pasojë e trafikut dhe problemit të madh të
parkimit.

Në autobus kishte shumë njerëz, ishte ora rreth 20:30 dhe
mbrëmja me të ftohtin që ka filluar i mbledh njerëzit në shtëpi pranë familjeve
të tyre.

U vendosa në këmbë diku nga pjesa e parë e autobusit. Sapo u
nis dëgjoj një zë që fliste pa pushim, e me thënë të drejtën shumë fjalë të tij
nuk po i kuptoja dot. Pasi dëgjova dhe disa te qeshura të cilat aprovonin ato
çka thoshte personi që fliste u bëra kureshtar e u koncentrova më shumë duke u
kthyer dhe fizikisht për të parë se çfarë po ndodhte….

Ishte fatorino i autobusit një djalosh rreth të 35-tave i
cili nuk pushonte së foluri përsëri në atë zhargonin e tij. Aty pas nga mesi i
autobusit ishte një i ri i huaj, i lodhur, i ngarkuar me disa çanta dhe dukej
që ishte ezmer e ndoshta ishte sirian, irakian apo nga ndonjë vend tjetër. Por
ishte njeri….Fatorino e ofendonte me fjalë nga më të ndryshmet…ecte e fliste
pafund dhe disa persona të tjerë qeshnin me të!! E turpshme…. po më binte
qielli mbi kokë!!

Po si mundet?! Si ?! E përbuz tjetrin nga raca, nga
kombësia, nga varfëria e hallet që i dukeshin në sy…Turp…

Dëgjova një zë gruaje që i tha mjaft more djalë, por ata që
qeshnin dhe solidarizoheshin me të ishin më shumë e zëri i saj u mbyt…

Atëherë nuk durova dot.

Ju afrova e me zë të lartë i thashë:

Turp…100 herë turp të të vijë!!

Si mundet ti të fyesh një njeri në këtë mënyrë!

Mua më vjen turp nga ty, e jo nga ai që udhëton me ne! Më
vjen turp që udhëtoj në një autobus me ty! Ti nuk mund të sillesh kështu!….

Dhe ju luta shoferit të më hapte derën e të zbrisja….

Kisha nevojë për ajër…..

Burimi/sot.com.al

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re