I dashur Xheis!

Ti fëmija mrekulli që ke rrëmbyer zemrat dhe mendjet e të gjithë
Shqipërisë. Ti fëmija i bukur, i dashur, i ëmbël, mjaltë që na ke bërë
të gjithëve për vete. Ti që me con disa herë në ditë në instagram për të
qetësuar pakëz sytë dhe mendjen me të folurën tënde të bukur dhe me
dockën tënde të shkruar me stilolpas blu, për të mos harruar pyetjen e
skenarit. Ti që më kujton fëmijërinë time, kur i thoja mamit tim,
njëlloj si ti, ‘Tali ta tate e tomë’ në përpjekje për t’i thënë ‘kali ka
katër këmbë’.

U lumturova pa mase që Paria e Tiranës, pasi e investoi mrekullisht
talentin tënd që ta dhuroi Zoti dhe barku që të solli ne jetë, vendosën
të të japin një shtëpi dhe të bëhesh i lumtur. Më vjen mirë që Paria e
Tiranës të ktheu mbrapsh një pjesë shumë të vogël të asaj që fitoi prej
teje dhe famës tënde të shpejtë. Nuk ka asnjë të keqe që ata e bënë një
të mirë. Nuk ka asnjë të keqe që na bënë të gjithëve për të qarë. Asgjë
të keqe nuk ka që bënë për të qarë mijëra nëna e baballarë të tjerë të
cilët i kanë fëmijët po aq të bukur e të talentuar si ti, por që nuk u
bie fati të dalin në tv dhe të bëhen pjesë e përkëdheljeve të Parisë.

A e di Xhejson?!

Ti do të rritesh një ditë dhe do të bëhesh djalë i madh. U bëfsh
njëqind vjec. Uroj, o fëmija mrekulli, që kur të rritesh të të bien në
dorë këto rreshta që kam shkruar dhe të kujtosh se ne nuk e urrejmë teta
Altetën, as xhaxhi Erin, as teta Verën, as Parinë e Tiranës që I bëjnë
qoka njëri tjetrit në kulmin e audiencës me lotët e tu. Ne e duam cdo
punë të mirë dhe gjithcka e fut gëzimin në shpirtin e fëmijëve.

Por, a të ka thënë teta Alteta o Xhejs, sa kanë kushtuar ato lotët e
tu kur hyre në shtëpinë e re?! A të ka thënë teta Alteta që i gjithë
emocioni që prodhuan lotët e syckave të tu të bukur shkuan për llogari
të xhaxhi Erit dhe të Parisë së Tiranës që fiton miliarda prej firmave
të tij?! A e di ti zemër e vogel sa fëmijë bredhin kazanëve të plehrave
të Shqipërisë sepse Paria e Tiranës ka skllavëruar e varfëruar prindërit
e tyre dhe i ka lënë rrugëvë të papunë si qentë?! A e di ti Xhejson se
ka vdekur një fëmijë dukë mbledhur plehërat, sepse nuk kishte bukë për
të ngrënë dhe kryetari i Bashkisë e ka mbyllur dosjen e hetimeve për atë
fëmijë që nuk e njihte njeri?!

A e di ti zemër se ai fëmijë vdiq i mbuluar nga plehërat dhe
fadromat e Parisë që marrin lejet nga xhaxhi Eri i Bashkisë tek
xhirollogaria politike e të cilt u derdhën sonte të gjitha pikat e
lotëve të tu?! A e di ti zemër e vogël sa beton është hedhur mbi
mushkëritë e fëmijëve të Tiranës, me lejen dhe me firmën e xhaxhi Erit,
vetëm që Paria e Tiranës të shtojë miliardat dhe kullat e saj?! A e di
ti Xhejs, sa prindër fëmijësh zbulojnë cdo ditë kancerin në gjakun dhe
në mushkëritë e tyre prej ndotjes që ka Tirana e cmendur e xhaxhi Erit?!

A e di ti zemër e vogël Xhejs, sa miliarda fiton Paria e Ferrit në
vit, vetëm duke shkatërruar jetët e dhjetëra mijëra prindërve të
fëmijëve të mrekullueshëm si ti?! A të ka thënë teta Alteta o zemra e
vogël, sa e blen xhaxhi Eri një pishë në Tiranë?! A të ka thënë teta
Alteta o Xhejs, kur ishe i vogël një fëmijë mrekulli, se shtëpia që të
ka dhënë ty Paria e Ferrit të Tiranës kushton vetëm tetë pisha fidanë,
nga ato që mbjell xhaxhi Erin ë pyllin orbital?!

A e di ti zemër e vogël sa fëmijë të vegjël dalin më leucemi nga
kanceri qe e ndot Tiranën cdo ditë, për llogari të fitimeve të parisë qe
jeton ne ‘Rolling Hills’?! A e di ti i dashur Xhejs, sa njerëz ka
bindur teta Alteta dhe emisioni i saj sonte me lotët e tu se xhaxhi Eri
është burrë i mirë dhe se njerëzit duhet ta votojnë prapë?! A e di ti
zemër se sa para ndan Paria e Tiranës, vetëm me një firmë të xhaxhi Erit
nëse atë e votojnë përsëri?! A e di ti fëmija mrekulli sa kushtojnë ato
lotët që rrodhën aq dhimbshëm nga sytë e tu të bukur?! Të dhanë një
shtëpi o mrekulli dhe ta gëzosh ti dhe familja që të rriti ty.

Por kur të rritesh Xhejs, bëje vetë llogarinë dhe kuptoje vetë
filmin që e luajti paria e ferrit me lotët e tu. Bëje vetë llogarinë,
zemër e vogël sa fëmijë shqiptarë kanë një fëmijëri prej kafshe, sepse
prindërit e tyre nuk kanë mundur të arratisen dhe t’i shpëtojnë prej një
vendi si ky. Të shpëtojnë prej atyre që të dhanë shtëpinë ty?! Prej
një vendi ku paria e tij shtyp, sundon dhe vjedh pa mëshirë gjithcka u
del në shteg, dhe një herë në vit, i grumbullojnë lotët e miletit të
lebetisur, i mbledhin lotët e skllevërve në një kusi, e kazan dhe lajnë
mëkatet e Parisë duke shpërndarë pikla mikroskopike prej gjakut që i
kanë pirë të gjithë Shqipërisë!

Kur të rritesh Xhejs, i lexon këto fjalë dhe e kupton se sa fitoi Paria me talentin dhe lotët e tu! Zoti të bekoftë o mrekulli! /Puls7

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re