Kryeministrja finlandeze Sanna Marin, 36 vjeçe, u pa duke pirë birrë dhe duke kërcyer me miqtë në klubin e natës Butchers në Helsinki deri në orët e para të mëngjesit.

Me sa duket aspak e rënduar nga pandemia dhe varianti i ri i koronavirusit Omicron, rreth të cilit po rritet shqetësimi në mbarë botën, ajo ka qëndruar jashtë deri në orën 4 të mëngjesit, raporton Daily Mail.

Para kësaj, kryeministrja ishte duke darkuar në restorantin Grotesk, dhe më vonë ajo vazhdoi të rrinte me bashkëshortin e saj Markus Räikkönen dhe miqtë e tyre në klub, raportoi gazeta lokale Seiska.

“Ajo ishte ulur me miqtë dhe të gjithë dukej se po kalonin mirë. Por ishte e qartë se Sanna ishte ende pak e mërzitur nga njerëzit që e shikonin”, rrëfeu një nga të ftuarit.

Deri më tani, vetëm një rast i infeksionit me Omicron është zbuluar në Finlandë dhe vendi tashmë mund të mburret me një nga nivelet më të ulëta të infeksionit COVID-19 në Evropë. Të shtunën, ata kishin 1277 raste të reja të infektimit, ndërsa, për shembull, në Gjermani numri ishte deri në 56.739.

Javën e kaluar, Finlanda njoftoi se të gjithë në sistemin shëndetësor dhe të kujdesit social do të duhet të vaksinohen kundër COVID-19. Qeveria gjithashtu insiston në intensifikimin e testimit dhe rekomandohet puna në distancë kudo që është e mundur.

Përveç kësaj, të gjithë udhëtarët që vijnë në vend duhet të kenë një certifikatë COVID.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re