Sot në Stamboll u bë varrimi i dijetarit të shquar sirian, Muhammad Ali as-Sabuni, i cili dje ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare në shtëpinë e tij në qytetin turk Yalova.

Namazi i xhenazes u fal në xhaminë historike Fatih, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve në ceremoni kishte figura të larta politike, teologë, si dhe të afërm të dijetarit.

Pas ceremonisë, që vijoi pas namazit të drekës, Sabuni u varros në varrezën e xhamisë Merkezefendi.

I lindur më 1 janar 1930 në Halep të Sirisë, Sabuni u diplomua në Fakultetin e Sheriatit në Universitetin Azhar në vitin 1952. Më vonë, ai vazhdoi arsimin në Departamentin e të Drejtës Islame dhe përfundoi specializimin në Departamentin e Drejtësisë Sheriatike në të njëjtin universitet në vitin 1954.

Sabuni më pas u kthye në vendin e tij Siri dhe kreu veprimtari arsimore për tetë vjet. Ai emigroi në Arabinë Saudite dhe filloi të ligjërojë në Fakultetin Pedagogjik dhe Fakultetin e Sheriatit në Universitetin e Mekes.

Sabuni, i cili vazhdoi shërbimin në fushën e arsimit këtu për 28 vjet, trajnoi profesorë universitarë dhe recensoi shumë vepra klasike në Universitetin Ummu’l-Kura. Sabuni shërbeu si president i Unionit të Dijetarëve Sirianë për shumë vite.

Ai i kaloi pesë vitet e fundit të jetës së tij në Turqi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re