Një foshnjë 1-vjeçare u shpëtua mrekullisht nga rrënojat 53 orë pas tërmetit që goditi pjesët jugore të Turqisë të hënën.

Anëtarët e ekipeve të shpëtimit arritën të nxirrnin foshnjën nga rrënojat e një ndërtese pesëkatëshe në qytetin e Sanliurfa.

Foshnja mbijetoi me lëndime të lehta dhe u dërgua në spital. Sanliurfa është një nga dhjetë qytetet turke që u goditën rëndë nga dy tërmete të forta.

Gjithashtu, mëngjesin e sotëm, pas operacionit të shpëtimit në Elbistan, i cili zgjati për rreth dy orë, ekipet e shpëtimit nxorrën nga rrënojat foshnjën Muhammed dy muajsh, i cili më pas u transportua në spital për ekzaminim. Turma festoi me shumë entuziazëm shpëtimin e foshnjës.

Pak më herët nga nën rrënojat e godinës u shpëtua edhe nëna e foshnjës.

Të paktën 6234 persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmeteve shkatërruese që goditën rajonet jugore të Turqisë, konfirmoi Administrata e Situatave Emergjente (AFAD). Në tërmetet shkatërruese në jug të vendit u plagosën 37.011 persona.

Një tërmet me magnitudë 7.7 ballë të shkallës Rihter goditi Turqinë jugore herët në mëngjesin e së hënës. Epiqendra e tërmetit është regjistruar në rrethin Pazarcik në Kahramanmaras.

Provincat e Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakir, Adana, Adiyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis janë prekur rëndë nga tërmeti. Pas kësaj, një tërmet i ri me magnitudë 7.6 ballë të shkallës Rihter goditi Elbistanin, gjithashtu në Kahramanmaras, të hënën në orën 13:24.

Si pasojë e tërmetit në Sirinë fqinje, të paktën 1782 persona humbën jetën dhe mijëra u plagosën. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re