Zv/presidenti i Türkiyes, Fuat Oktay, ka bërë të ditur se të paktën 1.541 persona kanë humbur jetën dhe 9.733 të tjerë janë plagosur në dhjetë provinca turke si pasojë e dy tërmeteve të fuqishme që goditën pjesën jugore të vendit, raporton Anadolu.

Herët në mëngjesin e sotëm, një tërmet i fuqishëm 7.7 ballë me qendër në rrethin Pazarcık tronditi qytetin Kahramanmaraş dhe preku rëndë disa provinca, përfshirë Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.

Më vonë pasdite, një tërmet tjetër 7.6 ballë sërish goditi qytetin Kahramanmaraş dhe këtë herë ishte me qendër në rrethin Elbistan.

Zv/presidenti Oktay po ashtu tha se pati gjithsej 145 pasgoditje dhe se të paktën 3.741 ndërtesa u shembën nga dridhjet.

Sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Türkiyes (AFAD), në rajon është përcaktuar personel kërkim-shpëtimi i përbrë prej rreth 9.700 personash.

Aktualisht, theksoi AFAD, nuk ka ndonjë kërcënim për cunami për brigjet e Mesdheut Lindor të Türkiyes.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Türkiye u trondit nga “katastrofa më e madhe” që nga tërmeti i vitit 1939 në qytetin Erzincan.

“Shteti ynë ka marrë masa me të gjitha institucionet e tij që nga tërmeti. Të gjitha burimet janë mobilizuar”, tha presidenti Erdoğan nga zyra e AFAD-it në kryeqytetin Ankara, ku po koordinonte punën e shpëtimit dhe të ndihmës.

Presidenti turk foli në telefon me krerët e bashkive Adana, Osmaniye, Hatay dhe Kilis, nga të cilët mësoi për përpjekjet e kërkim-shpëtimit.

Më herët, zv/presidenti Oktay në një konferencë për media tha se Erdoğan ka ndjekur dhe menaxhuar përpjekjet zyrtare që nga koha e goditjes së tërmetit.

Ai njoftoi se aeroporti në Hatay është aktualisht i mbyllur për fluturime, duke theksuar se ata kanë mbyllur edhe aeroportet në Kahramanmaraş dhe Gaziantep për fluturime civile.

“102 stacione bazë të lëvizshme janë dërguar në zonat e tërmetit”, tha Oktay.

Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjitha mediave, institucioneve dhe organizatave që të mbështeten në deklaratat zyrtare për t’u mbrojtur nga dezinformatat.

Ministri i Arsimit, Mahmut Özer, tha se arsimi në Türkiye është pezulluar deri të hënën e ardhshme, më 13 shkurt.

Ministri i Rinisë dhe Sporteve, Mehmet Kasapoğlu, tha se të gjitha ngjarjet sportive kombëtare në Türkiye janë pezulluar deri në një njoftim të dytë.

Tërmetet që sot goditën Türkiyen jugore, janë ndjerë edhe në disa vende fqinje të rajonit, përfshirë Sirinë dhe Libanin.

Ekipet e shpëtimit në gatishmëri

Presidenti Erdoğan uroi shërim të shpejtë për qytetarët e prekur nga tërmetet. Ai tha se AFAD-i dhe njësitë e tjera janë “në gatishmëri”.

Erdoğan tha se ekipet e shpëtimit u dërguan menjëherë në zonat e prekura nga tërmeti.

“Ministria e Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë, AFAD, udhëheqjet e provincave dhe të gjitha institucionet e tjera filluan punën e tyre me shpejtësi. Ne gjithashtu po koordinojmë punën pas tërmetit. Shpresojmë që së bashku ta kalojmë këtë fatkeqësi sa më parë dhe me sa më pak dëme dhe të vazhdojmë punën tonë”, tha ai.

AFAD tha se Türkiye lëshoi një alarm të nivelit 4, që përfshin një thirrje për ndihmë ndërkombëtare.

Pas një diskutimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme, AFAD gjithashtu tha se ndihma ndërkombëtare kërkohet përmes Qendrës së Koordinimit të Reagimit Emergjent (ERCC).

“Oferta të ndihmës u morën nga shumë vende, veçanërisht Holanda, Azerbajxhani dhe Mbretëria e Bashkuar”, theksoi AFAD.

Ndërkohë, personeli i kujdesit shëndetësor i përcaktuar nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe Ministria e Shëndetësisë u nisën nga Ankaraja për në rajon me dy avionë të ambulancës ushtarake.

Përveç ekipeve të shpëtimit, në rajon u dërguan edhe batanije, ushqime dhe ekipe të mbështetjes psikologjike.

Türkiye krijon “korridorin e ndihmës ajrore”

Pas tërmetit, një “korridor i ndihmës ajrore” u krijua nga Forcat e Armatosura Turke për të dërguar ekipet e kërkim-shpëtimit në rajon.

“Ne mobilizuam avionët tanë për të dërguar ekipet mjekësore, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe automjetet e tyre në zonën e tërmetit. Ne kemi maksimizuar gatishmërinë e avionëve për të ofruar shërbimin e nevojshëm të transportit”, tha ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Një numër i madh avionësh transporti, përfshirë një A-400M i Forcave të Armatosura Turke, filluan të dërgojnë ekipe dhe automjete të kërkim-shpëtimit në rajon. Akar tha se avionët e ambulancës po ashtu po përdorin “korridorin e ndihmës ajrore”.

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha se një numër i mjaftueshëm ekipesh nga të 81 provincat janë në detyrë në zonat e fatkeqësisë dhe vazhdojnë shërbimet e tyre të kërkim-shpëtimit dhe ato shëndetësore.

“Ambulancat tona ajrore dhe tokësore gjithashtu janë në shërbim në rajon. Aktualisht po kryejmë koordinimin nga Hatay, një nga provincat e prekura nga fatkeqësia e tërmetit”, njoftoi ministri Koca në rrjetet sociale.

Pas tërmeteve, ngushëllime erdhën nga e gjithë bota, duke shprehur solidaritet me Türkiyen.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re