Të paktën 3.381 persona kanë humbur jetën dhe 20.426 të tjerë janë plagosur në dhjetë provinca turke si pasojë e dy tërmeteve të fuqishme që goditën pjesën jugore të vendit.

Herët në mëngjesin e sotëm, një tërmet i fuqishëm 7.7 ballë me qendër në rrethin Pazarcık tronditi qarkun Kahramanmaraş dhe preku rëndë disa provinca, përfshirë Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.

Më vonë pasdite, një tërmet tjetër 7.6 ballë sërish goditi qarkun Kahramanmaraş dhe këtë herë ishte me qendër në rrethin Elbistan.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha se me këtë tërmet, Türkiye u trondit nga “katastrofa më e madhe” që nga tërmeti i Erzincanit të vitit 1939.

“Shteti ynë ka marrë masa me të gjitha institucionet e tij që nga tërmeti. Të gjitha burimet janë mobilizuar”, tha ai në zyrën e AFAD-it në kryeqytetin Ankara, ku po koordinonte punën e shpëtimit dhe të ndihmës.

Tërmeti është ndjerë edhe në disa vende fqinje të rajonit, duke përfshirë Libanin dhe Sirinë.

Türkiye lëshoi një alarm të nivelit 4, që përfshin një thirrje për ndihmë ndërkombëtare.

Pas një diskutimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme, AFAD gjithashtu tha se ndihma ndërkombëtare kërkohet përmes Qendrës së Koordinimit të Reagimit Emergjent (ERCC).

Ndërkohë, personeli i kujdesit shëndetësor i përcaktuar nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe Ministria e Shëndetësisë u nisën nga Ankaraja për në rajon me dy avionë të ambulancës ushtarake.

Përveç ekipeve të shpëtimit, në rajon u dërguan edhe batanije, ushqime dhe ekipe të mbështetjes psikologjike.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re