Tërmeti shkatërrues në jug të Turqisë herët në mëngjesin e së hënës në Hatay gjeti Yuksel Ergit, i cili mbërriti në këtë qytet për punë.

Hoteli ku ai po qëndronte u shemb dhe Ergiti u shpëtua pasi kaloi 32 orë nën rrënoja dhe aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin e qytetit Bilkent në Ankara.

Në një intervistë për Anatolia, Ergiti ka kujtuar natën e tërmetit, duke thënë se fillimisht është fshehur poshtë tavolinës në dhomën e hotelit.

“Nga dhoma ku po rrija, rashë dy kate poshtë. Një pjesë metalike e tavolinës më mbeti e ngulur në dorë, dhe mbi mua ishte një dyvendësh, mbi të cilën kishte mbeturina të tjera. Në ato kushte prisja shpëtimin. Për herë të parë në jetën time ndjeva një tërmet të tillë”, tha Ergit.

Ergiti tha se kishte dëgjuar zërat e disa të mbijetuarve të tjerë, ndaj vendosi kontakte me ta.

Siç ka thënë ai, mes frikës dhe dhimbjes nga plagët i kanë bërtitur sa më shumë njëri-tjetrit dhe bashkëbiseduesve u ka thënë se patjetër do të vijë dikush për t’i shpëtuar.

Siç tha ai, në operacionin e shpëtimit të tij kanë marrë pjesë babai dhe kolegët e tij të punës, të ardhur nga Ankaraja për të ndihmuar shpëtimtarët.

“Në rrënojat ku isha, kisha dukshmëri të dobët të situatës. Nuk e dija nëse ishte ditë apo natë. Më dukej sikur isha bllokuar për 10 ditë. Duke u përpjekur të largoja tullat rreth meje me bërryl, ndjeva një qese najloni, tërhoqa dhe pashë që kishte saktësisht 12 ullinj, i haja herë pas here, një nga një. Tridhjetë e dy orë më vonë më nxorrën nga poshtë rrënojave”, thotë Ergit.

Babai i tij, Sukru Ergit, tha se me të marrë vesh për tërmetin, u nis menjëherë për në Hatay, pasi e dinte se djali i tij ishte atje.

“Shpëtimi i tij është një mrekulli. Allahu ma dha djalin tim për herë të dytë, herën e parë kur lindi dhe tani që shpëtoi. Allahu i dhëntë durim dhe mëshirë popullit tonë dhe ruajtë vendin tonë”, tha ai. /tesheshi.com/

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re