Turqia ka dënuar deklaratën e Greqisë në lidhje me juridiksionin detar për marrëveshjen e mbrojtjes greko-franceze.

Në një deklaratë me shkrim, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Tanju Bilgiç, tha se “pretendimet e Greqisë për juridiksionin dhe hapësirën ajrore maksimale detare janë kundër ligjit ndërkombëtar”.

“Është një shpresë e kotë që Greqia mund të na bëjë të pranojmë këto pretendime, të cilat po ashtu vihen në dyshim nga komuniteti ndërkombëtar, duke krijuar aleanca ushtarake dypalëshe kundër Turqisë në një mënyrë që dëmton aleancën e NATO-s”, tha Bilgiç.

Më herët, ministri grek i Mbrojtjes, Nikolaos Panagiotopoulos, tha se marrëveshja greko-franceze e mbrojtjes po ashtu mbulon juridiksionin detar.

“Përpjekjet e tilla të kota do të rrisin më tej vendosmërinë tonë për të mbrojtur si të drejtat tona ashtu edhe të drejtat e Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) në Egje dhe Mesdhe”, tha Bilgiç.

Ai po ashtu tha se politika greke e armatimit dhe izolimit të Turqisë është “problematike” pasi ajo do të dëmtojë si veten ashtu edhe Bashkimin Evropian (BE), si dhe do të kërcënojë paqen dhe stabilitetin rajonal.

Të martën, Greqia nënshkroi një marrëveshje për blerjen e tre anijeve luftarake nga Franca dhe për rritjen e bashkëpunimit të sigurisë midis dy vendeve, veprim që u përshëndet nga të dyja palët si nja hap drejt autonomisë strategjike evropiane.

Marrëveshja vjen më pak se dy javë pasi Franca u la jashtë duke mos u përfshirë në një pakt të ri Indo-Paqësor në fushën e mbrojtjes, i cili u nënshkrua midis SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Australisë.

Marrëveshja u zyrtarizua vetëm një ditë pasi kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, pohoi se Greqia dëshiron të shmangë një garë armatimi me Turqinë dhe të zbusë tensionet me Ankaranë në Mesdheun Lindor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re