Skip to content

Turqia dhe Britania bien dakord të furnizojnë 20 Eurofighter – Vlera e marrëveshjes: 10.74 miliardë dollarë

erdoganstarmer

Erdogan tha se është arritur një marrëveshje historike në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Britanisë. Ministri turk i Mbrojtjes foli për blerjen e një totali prej 44 avionësh luftarakë Eurofighter (20 nga Britania, 12 nga Katari dhe 12 nga Omani).

Nënshkrimi i kontratës për furnizimin e 20 avionëve luftarakë Eurofighter Typhoon për Turqinë ishte tema kryesore e takimit midis Keir Starmer dhe Tayyip Erdogan në Stamboll.

Finalizimi i marrëveshjes (me vlerë 10.74 miliardë dollarë, sipas Al Arabiya), të cilën Ankaraja e ka kërkuar prej kohësh, u njoftua nga zëdhënësi i Starmer, ndërsa vetë kryeministri britanik, i cili vizitoi industrinë turke të hapësirës ajrore, ku prodhohen avionët luftarakë turq KAAN, njoftoi se marrëveshja e nënshkruar ka siguruar 20,000 vende të reja pune për bashkatdhetarët e tij.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healy, që shoqëronte kryeministrin britanik në Ankara, foli për “eksportin më të madh të avionëve luftarakë në një brez”, duke shtuar se marrëveshja “do t’i mbajë linjat e prodhimit të Typhoon aktive për vite me radhë” dhe “do të forcojë mbrojtjen e NATO-s në një rajon kritik”.

Ndarja e prodhimit përcakton se afërsisht 37% e secilit avion do të prodhohet në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa pjesa tjetër do të vijë nga vendet partnere të Eurofighter.

“Ne nënshkruam deklaratën e bashkëpunimit për furnizimin me avionë luftarakë Eurofighter në praninë tuaj. Ne e konsiderojmë këtë marrëveshje një moment të ri në marrëdhëniet tona”, tha Erdogan në fjalimin e tij pas takimit me Starmer.

Shikoni nënshkrimin e kontratave të Eurofighter në videon e mëposhtme.

“Si partnerë dhe aleatë strategjikë, ne mbajmë një kanal të hapur komunikimi për shumë çështje në axhendën ndërkombëtare, përtej çështjeve dypalëshe. Diskutimet tona sot u përqendruan në marrëdhëniet tona tregtare dhe mbrojtëse. Siç e dini, Mbretëria e Bashkuar është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe të investimeve të vendit tonë. Ne jemi të vendosur ta rrisim vëllimin tonë tregtar fillimisht në 30 miliardë dollarë dhe më pas në 40 miliardë dollarë. Jemi të vendosur të forcojmë më tej marrëdhëniet tona ekonomike. Institucionet dhe organizatat tona përkatëse po marrin masa të shumta, duke përfshirë përditësimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Gjithashtu po shqyrtojmë mundësi të përbashkëta investimi në vendet e treta. Qëllimi ynë është të krijojmë partneritete të reja në sektorët e energjisë dhe mbrojtjes. Jemi gjithashtu shumë të kënaqur që kaq shumë qytetarë britanikë e konsiderojnë Turqinë shtëpinë e tyre të dytë”, shtoi presidenti turk.

Për më tepër, pas nënshkrimit të kontratës me Mbretërinë e Bashkuar, Ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler, foli për një marrëveshje për të blerë edhe 20 Eurofighter nga Katari (12) dhe Omani (12), duke shtuar se avionët do të fillojnë të mbërrijnë në vend në fillim të vitit të ardhshëm.

Faqja e lajmeve në gjuhën angleze, Middle East Eye, raportoi se Starmer kishte dërguar dy Eurofighter në Ankara përpara mbërritjes së tij, pa specifikuar nëse këta avionë do të qëndronin në Turqi apo nëse ky ishte vetëm një gjest simbolik nga kryeministri britanik.

Përshtati në Shqip S