Skip to content

Turqia dhe Britania, gati një marrëveshje tregtare me vlerë historike

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi se Turqia do të nënshkruajë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Britaninë e Madhe.

Erdogan kryesoi seancën e fundit të kabinetit këtë vit në Pallatin Presidencial në Ankara dhe iu drejtua kombit pas seancës, duke theksuar se marrëveshja e tregtisë së lirë me Britaninë do të jetë marrëveshja më e rëndësishme tregtare e Turqisë që nga Marrëveshja e Bashkimit Doganor e nënshkruar nga Turqia në 1995 me Bashkimin Europian.

“Deri më 25 dhjetor, eksportet tona tejkaluan të gjitha parashikimet dhe u rritën në 166 miliardë dollarë. Me investime të larta të vlerës së shtuar, ne mbyllim deficitin dhe ulim nevojën për financim të jashtëm. Një periudhë e re fillon në 2021, e cila do të jetë e dobishme si për Turqinë dhe Britaninë e Madhe,” tha ai.

Departamenti i Tregtisë i Mbretërisë së Bashkuar njoftoi të dielën se të dy vendet do të nënshkruajnë një marrëveshje që kopjon kushtet ekzistuese të tregtisë, sipas Reuters. Kjo është marrëveshja e parë zyrtare që kur kryeministri britanik Boris Johnson siguroi një marrëveshje të re tregtare me Bashkimin Evropian javën e kaluar.

Marrëdhëniet tregtare midis Londrës dhe Ankarasë vitin e kaluar kishin vlerë 18,6 miliardë paund (25,25 miliardë dollarë amerikanë) dhe Mbretëria e Bashkuar deklaron se kjo është marrëveshja e pestë më e madhe tregtare e arritur nga kjo ministri pas marrëveshjes me Japoninë, Kanadanë, Zvicrën dhe Norvegjinë.

Deri më tani, Britania e Madhe ka nënshkruar marrëveshje tregtare me 62 vende përpara periudhës së tranzicionit Brexit më 1 janar kur ajo lë marrëveshjet tregtare të BE-së.