Ministrat e jashtëm të Turqisë dhe Greqisë po planifikojnë të takohen në javët e ardhshme, njoftoi ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu.

“Tani ka një dritare mundësish për dialog më të mirë me Greqinë. Ndërsa ne jemi duke planifikuar të takohemi në javët e ardhshme me ministrin e jashtëm grek, Nikos Dendias, i cili është personalisht një mik i mirë i imi”, tha Çavuşoğlu, gjatë një konference për shtyp me homologun e tij portugez, Augusto Santos Silva.

Ai shtoi se Turqia është gati të hapë një faqe të re në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian (BE).

Çavuşoğlu gjithashtu tha se mandati i presidencës së Portugalisë në BE është një dritare mundësie për Turqinë për shkak të qëndrimit të ekuilibruar dhe objektiv të Portugalisë mbi çështjet aktuale midis Turqisë dhe BE-së.

Kryediplomati turk tha se Turqia dhe BE nuk duhet të përqendrohen vetëm në zona problematike, por edhe fusha të tjera të tilla si marrëveshja e migrimit.

“Ne duhet ta ringjallim këtë marrëveshje sepse migrimi është një problem i vazhdueshëm dhe për shkak të pandemisë, duket se ky problem do të vazhdojë për vite me radhë. Prandaj, ne duhet të vazhdojmë bashkëpunimin tonë”, theksoi Çavuşoğlu.

“Modernizimi i marrëveshjes së Unionit Doganor është reciprokisht i dobishëm dhe liberalizimi i vizave është premtimi i Bashkimit Evropian. Ndërsa gjatë takimeve të ardhshme, ne duam të shohim hapa konkretë nga BE-ja lidhur me këto fusha”, shtoi ai.

Në lidhje me çështjen e Qipros, Çavuşoğlu tha se Turqia ka mbështetur të gjitha iniciativat për një zgjidhje të qëndrueshme por të gjitha ato u refuzuan nga grekët qipriotë.

“Turqia ka qenë për një ndarje të drejtë në Mesdheun Lindor. Fatkeqësisht, për shumë vite, disa shtete anëtare të BE-së, disa vende të Mesdheut Lindor, duke përfshirë Greqinë dhe disa të tjerë, dhe grekët qipriotë injoruan të drejtat e Turqisë dhe qipriotëve turq”, tha ai.

“Ata e përjashtuan Turqinë nga të gjitha iniciativat, kurse Turqia ishte shumë e duruar. Por kohët e fundit, asaj iu desh të fillonte aktivitetet e saj brenda zonave të saj legjitime dhe të regjistruara të shelfit kontinental”, shtoi ai.

Ministri Çavuşoğlu tha se negociatat për federatat do të ishin humbje kohe, siç ka qenë për 52 vitet e fundit.

Nga ana e tij, kryediplomati i Portugalisë tha se shpresonte për zgjidhje të problemeve me Turqinë dhe vendet anëtare të BE-së përmes dialogut të drejtpërdrejtë gjatë mandatit të presidencës së Portugalisë në BE.

Silva nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të një axhende pozitive me Turqinë, duke shtuar se Turqia dhe BE ndajnë interesa dhe shqetësime të përbashkëta të tilla si siguria rajonale, stabiliteti, strehimi i refugjatëve dhe migrimi.

Këtë vit më 18 mars do të jetë përvjetori i pestë i marrëveshjes së migrimit midis Turqisë dhe BE-së, tha Silva, duke shtuar se të dy palët do të vlerësojnë rezultatet e marrëveshjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re