Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, kanë përsëritur angazhimin e tyre për të luftuar të gjitha format e terrorizmit.

Në konferencën e përbashkët për media në Ankara me kryeministrin al-Sudani, presidenti Erdoğan tha se është e qartë se grupet terroriste si PKK-ja, DEASH-i dhe FETO-ja “përbëjnë një kërcënim për të dy vendet”.

“Gjatë takimit tonë, ne diskutuam të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona dypalëshe. Ne rikonfirmuam vendosmërinë tonë për të luftuar të gjitha format e terrorizmit”, tha Erdoğan, duke shtuar se bisedimet e tyre u përqendruan në përpjekjet e Türkiyes kundër organizatave terroriste.

“Pritja jonë nga vëllezërit tanë irakianë është që ata të përcaktojnë PKK-në si një grup terrorist dhe të pastrojnë tokat e tyre nga kjo organizatë terroriste”, shtoi ai.

Lidhur me mosmarrëveshjen mbi ujin midis Türkiyes dhe Irakut, presidenti Erdoğan tha se Ankaraja e sheh këtë çështje “jo si një konflikt, por si një zonë bashkëpunimi që mund t’u shërbejë interesave të përbashkëta”.

“Ne kemi vendosur të rrisim sa më shumë të jetë e mundur vëllimin e ujit të lëshuar nga lumi Tigris për të ndihmuar në zbutjen e shqetësimit të Irakut”, tha Erdoğan.

Kryeministri al-Sudani, nga ana e tij, falënderoi presidentin turk për vendimin. Ai tha se Iraku i ka përcjellë Türkiyes “dëshirën për të përmirësuar marrëdhëniet në të gjitha fushat”.

Për luftën kundër terrorizmit, al-Sudani theksoi se Iraku nuk do të lejojë asnjë grup terrorist të përdorë territorin e vendit për sulme në Türkiye.

Ai shtoi se shqetësimet e sigurisë mund të kapërcehen me ndarjen e informacioneve të inteligjencës.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re